Presidenti Ilir Meta ka mbajtur fjalën e lamtumirës për Bujar Nishanin duke vlerësuar figurën e tij.
Kreu i shtetit tha se Bujar Nishani do të kujtohet si një njeri që i peshonte fjala me thjeshtësi, që përfaqësoi Shqipërinë dhe shqiptarët denjësisht në arenat ndërkombëtare.
“Bujar Nishani pati një jetë plot maja realizimesh. Ai ishte një baba shembull i dy fëmijëve të mrekullueshëm. Për Presidentin Nishani këto ditë ka pasur vlerësime më se të merituara.
Kanë folur bashkëpunëtorët, miqtë, homologët dhe kolegët nga i gjithë spektri dhe mbi të gjitha kanë folur shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë. Bujar Nishani erdhi nga ushtria, solli virtytet më të mira. Nishanit i peshonte fjala.
Ai çmohej për thjeshtësinë dhe përulësinë. Ai do të mbahet mend për qetësinë dhe forcën e argumentit. Ai punoi në mbrojtje të kushtetutës. Si presidenti i zgjedhur në 100 vjetorin e shtetit shqiptar ai imponoi respekt.
Ai mbështeti fort njohjen e Kosovës. Sot ën ditën e lamtumirës ne e falenderojmë për modelin që ai solli. I paharruar kujtimi i Bujar Nishanit” tha Meta.