Diego Longo mendon se ka bërë mirë në një vit te Kukësi, pavarësisht se skuadra në fund nuk arriti dot për të dytin vit radhazi të merrte pjesë në Europë, objektivi minimal ky i verilindorëve. Italiani i vetëm që mbyll një sezon të plotë si trajner në elitën e futbollist shqiptar, siç e konsideron Longo veten e tij.
Longo pranon se ishte ai që kohë më parë u kishte thënë drejtuesve që nuk do të vazhdonte më në krye të klubit, edhe nëse arrihej Europa, ndaj nuk mërzitet që për largimin e tij u vendos para finales së Kupës së Shqipërisë.
Longo është dakord me deklaratat e Gjicit, që në klubin e Kukësit ka pasur dallaveraxhinj, teksa ka qenë vetë italiani që ia ka bërë të ditur këta njerëz.
Në fund, ai zbulon edhe ngjarje aspak normale, teksa paguheshin deri në 2 mijë euro nga një lojtar i ri të stërvitej në ekipin e parë dhe, sipas tij, kjo ishte absolutisht e papranueshme, duke bërë që të kishte shumë armiq në klub. Në fund ai lë të hapur çdo mundësi rikthimi në futbollin shqiptar, edhe pse vetëm pak ekipe plotësojnë kushtet e tij.
“Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona.
Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp. E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar. Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë”, tregon Longo per Panorama Sport.