Bullgaria jo vetëm që nuk heq dorë nga vetoja, por i ka përsëritur edhe njëherë tre kushtet për Maqedoninë e Veriut për të hapur negociatat, duke bllokuar kështu edhe Shqipërinë, pasi dy vendet sipas Brukselit janë përcaktuar që rrugën drejt BE-së ta ndjekin në bllok. Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov listoi edhe njëherë sot kushtet.
“Që nga mëngjesi dhe në ditët e fundit kam dëgjuar lloj-lloj pretendimesh të rreme se qeveria bullgare kishte dy politika të jashtme. Dua t’u bëj të qartë qytetarëve bullgarë dhe komisionerit Varhelyi se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Respektimi i qëndrimit kornizë, të cilin e miratoi Parlamenti bullgar, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre dhe së treti, të zbatohet marrëveshja e fqinjësisë”, tha Petkov.
Komisioneri Varhelyi është ende besimplotë për një marrëveshje në qershor. “Ende presim mbështetjen e Bullgarisë dhe për këtë po punojmë në të gjithë këto bisedime që kam udhëhequr në Sofje, ashtu edhe në Shkup, që përfundimisht të sqarohen dhe të forcohet perspektiva evropiane për RMV-në. Do të doja të shikoja që të arrihet marrëveshje në qershor, për këtë në mëngjes takohem me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm, do të takohem edhe me Presidentin”, tha Varhelyi.