Miratimi i Hartës së re Gjyqësore është kthyer këtë të diele të 12 prillit në një “shkak përplasjeje” mes Dhomës së Avokatëve Penalistë dhe Dhomës së Avokatisë.
Saimir Vishaj, kreu i Avokatëve Penalistë ka dalë kundër vendimit të Dhomës së Avokatisë, e cila ka kërkuar bojkotim të gjyqeve si protestë kundër Hartës së re Gjyqësore.
Vishaj nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook shkruan se Dhoma që ai drejton nuk do bëhet pjesë e grevës.
Kjo pasi sipas tij, nuk është i qartë objektivi i kësaj greve, pra shkaku lidhur me kundërshtimet e Hartës gjyqësore.
Vishaj shkruan se afati grevës është shumë shkurtër, dhe dëmi që mund të shkaktojë në raport me qëllimin e saj është irelevant.
Nga ana tjetër, Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar bojkotim të seancave gjyqësore nga data 14 deri më 17 qershor.
Për sa i përket bojkotit, paralajmërohet se “moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht”.
Pse një Harte e re shkaktoi përplasje?
Miratimi i Hartës do të sjellë shkrirjen e 10 Gjykatave, duke e çuar kështu numrin total të atyre të Shkallës së Parë nga 22 në 12.
Kjo Hartë e re Gjyqësore parashikon 12 Gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe vetëm një Gjykatë Apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe një për atë administrativ.
Ky veprim ka hasur në kundërshtinë e avokatëve, të cilët e konsiderojnë si skemë të pamundur për të funksionuar.
Kreu i Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, ka deklaruar se kjo nuk do të sjellë përfitime reale për qytetarin e thjeshtë.
Për Albanian Post, ai tregon se, shkurtimi i Gjykatave në rang vendi, largon qytetarin nga Gjykata.
“Ky proces detyron qytetarin nga Shkodra, Tropoja, Kukësi, Korça, Pogradeci, Berati dhe shumë qytete të tjera të shkojnë nga skajet më të largëta të vendit në mes të Tiranës”, shprehet Lena.
Kështu, sipas tij, qytetarët mund të detyrohen që, përpos shpenzimeve të udhëtimit, të qëndrojnë edhe në Tiranë, nëse kanë një seancë gjyqësore.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se kjo hartë do të afrojë Gjykatat me njeriun, do të rrisë cilësinë dhe do të përdoren më së miri edhe burimet publike.
“Edhe në nivel Apeli, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë askes në Apelin e Tiranës”, u shpreh ai.