Partia Socialiste “lanë duart” me ish-kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili u arrestua në 27 maj në Itali me 20 kg kokainë.
Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh sot se Kajmaku prej vitesh nuk është më pjesë e PS-së.
“Sa herë që ligji funksionon mbi këdo, Partia Socialiste përshëndet veprimet e organeve të drejtësisë. Ky është qëndrim i qartë i yni që s’bën dallim për askënd. Ligji duhet të godasë mbi këdo.
Personi që flasim nuk është më prej vitesh në asnjë lloj funksioni dhe përfaqësimi nga PS dhe është humbje kohe të diskutojmë për këtë çështje” deklaroi ai.
Ish-kryetari i bashkisë është ende në gjyq në Shqipëri në Apel për falsifikim, ndërsa sapo ka nisur betejën e re për trafik droge në Itali.