Një gjykatë në Minsk e ka cilësuar kompaninë Tut.by Media si “ekstremiste” dhe ka ndaluar funksionimin e saj në Bjellorusi. Kjo është në vazhdimësi e goditjeve të këtij shteti ndaj mediave të pavarura dhe gazetarëve.
Gjykata Supreme e Bjellorusisë tha më 14 qershor, se vendimi i marrë nga Gjykata Ekonomike e Minskut hyn në fuqi menjëherë. Aty nuk përshkruhen arsyet e vendimit të gjykatës.
Gushtin e kaluar, gazeta tut.by dhe faqja mediatike zerkalo.io – të dyja në pronësi të kompanisë Tut.by Media, u bllokuan nga autoritetet bjelloruse, të cilat gjithashtu ngrinë llogaritë bankare të kompanisë dhe arrestuan një numër punonjësish mbi supozimin për evazion fiskal.
Tut.by ishte një nga faqet më të rëndësishme në internet, e cila mbulonte protestat pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në gusht 2020, që i dhanë liderit autoritar Alyaksandr Lukashenka një mandat të gjashtë në detyrë, pavarësisht akuzave për mashtrim.
Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, një gjykatë bjelloruse e ka cilësuar si ekstremist kanalin e Telegramit të shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë.
Uebsajti i Radios Evropa e Lirë është bllokuar brenda Bjellorusisë që nga 21 gushti i vitit 2020 ndërsa akreditimi i të gjithë gazetarëve lokalë që punojnë për media të huaja, përfshirë REL-in, u anulua nga autoritetet bjelloruse në tetor të vitit 2020.
Autoritetet bjelloruse kanë mbyllur disa media, duke përfshirë kanalin televiziv Belsat të financuar nga Polonia, gazetën e njohur Nasha Niva, zyrën e Radios Evropa e Lirë në Minsk dhe dhjetëra botime rajonale, për mbulimin e tyre të pavarur të regjimit të Lukashenkas./REL