Dyshimet se Lija e Majmunit mund të ketë arritur edhe në Kosovë tashmë janë konfirmuar.
Rasti i parë i regjistruar me këtë sëmundje, në Kosovë është një burrë 69 vjeçar nga Komuna e Dragashit.
Për konfirmimin e këtij rasti, institucionet shëndetësore të vendit u desh të kërkojnë ndihmë nga laboratori referent i OBSh-së në Holande.
Por, tash e tutje testet për Linë e Majmunit mund të bëhen edhe në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka blerë 1 mijë teste për detektimin e Lisë së Majmunëve.
Në kontratën e nënshkruar me kompaninë “Interlab Sh.P.K”, IKShPK ka paguar testet në vlerë prej 6 mijë e 132 euro.
Me këto para, IKShPK do të blejë 20 pako me nga 50 teste, pra gjithsej do të blihen 1 mijë teste.
Sipas dosjes së tenderit, kjo kontratë ka vlerë nga data 10 qershor e deri më 9 korrik.
Rasti i parë i dyshimtë me Li të Majmunit në Kosovë, u paraqit më 4 qershor dhe deri tani nuk është paraqitur ndonjë rast tjetër, sipas komunikimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.