Bujqit në Divjakë janë të revoltuar nga rritja e kostove të prodhimit dhe mungesës së mbështetjes nga qeveria. Vetëm një ditë përpara denoncimit të radhës nga deputeti i qarkut Lushnje, Erion Braçe, Faktoje verifikoi situatën në zonën e Tërbufit, e njohur për prodhimin e grurit. Ata thonë se pikat e grumbullimit nuk kanë nxjerrë ende çmimin e shitjes, duke rrezikuar prodhimin dhe se në Shqipëri një bujk “konsiderohet një hiç”.
Në seancën e sotme deputeti i PS Erion Braçe foli pa doreza për mungesën e mbështetjes për bujqit dhe situatën kritike që është krijuar.
“Më vjen t’ju kujtoj, realisht edhe majtas, edhe djathtas, se ajo domatja kushton vetëm 50 lekë, ajo qepa kushton vetëm 20 lekë, ai gruri që ka ndenjur tetë muaj në tokë pa asnjë lloj subvencionimi nga qeveria dje në Tërbuf kushtonte vetëm 36 lekë, pra 4-5-6-7 lekë me humbje. Nuk dëgjon askush dhe nuk reflekton askush për këtë fakt. Për çfarë i doni ata njerëz mo, që të ikin të punojnë si skllevër jashtë vendit e të mos mbjellin tokat e tyre këtu? Shteti të mos i lërë ata njerëz. Po talleni me gjakun, djersën dhe mundin e bujkut”, deklaroi Braçe.
Vetëm një ditë para zhvillimit të punimeve në Kuvend, Faktoje udhëtoi pikërisht në Tërbuf, Divjakë, aty ku ndodhen sipërfaqe të tëra të kultivuara me drithëra dhe ku bujqit janë të revoltuar.
“Janë rritur çmimet e të gjitha plehrave kimikë. Kanë pësuar gati 200% ngritje, në krahasim me të njëjtët muaj të vitit të kaluar. Ajo që vihet re është se ka edhe rënie të blerjes, rënie të xhiros me 30%. Kjo ka edhe shumë faktorë, si ikja e popullsisë. Kjo ndihet këtu te krahu i punës, po ikin mosha e re dhe detyrimisht sipërfaqet e tokës ngelin të papunuara.
Plehrat kimikë që kanë pasur më shumë rritje janë nitrati, ureja, dap. Nitrati sot është 120 mijë (të vjetra), vjet ka qenë 40 mijë, rritje me 300%. Ureja është 130 mijë, ka qenë 50-60 mijë. Dapi ka qenë 66-70 mijë, tani ka shkuar 130 mijë. Këto të treja kanë pësuar më shumë ngritje”, i tha Faktojes një shitës në një prej magazinave për plehra kimikë.
Magazinë për shitjen e plehrave kimikë në Divjakë, 15 qershor 2022
Bujqit ankohen se prodhimi rrezikon të shkojë dëm.
“Prodhimi është goxha i mirë, mbollëm goxha sipërfaqe, sepse nuk e dinim si do varionte puna. Gjithçka mori ters, 200 mijë lekë (të vjetra) e ka shpenzimin dynymi. Unë kam mbjellë 2 hektarë. Kostoja mua më ka shkuar diku te 4 milionë.
Gruri është gati, vjet e shisja 30 mijë lekë kuintalin. Që unë të arrij të fitoj diçka duhet ta shes me 50 mijë lekë kuintalin se me 40 mijë lekë dal prapë jek e jek. Unë kam hedhur 4 milionë lekë për të fituar 500 mijë lekë.”, shprehet fermeri Shefik Qyshku.
Sipërfaqe me grurë në Divjakë, 15 qershor 2022
Gjithashtu, ai ngre shqetësimin se pikat e grumbullimit të grurit nuk kanë nxjerrë ende çmimin.
“Grurin e shesim nëpër familjarë, kemi dhe dy pika grumbullimi. Mirëpo, pikat nuk kanë nxjerrë çmimin. Ne presim të korrim grurin, ata nuk kanë nxjerrë akoma çmimin. Ne detyrohemi tani e fusim brenda në shtëpi, do të detyrohemi ta çojmë edhe njëherë atje. Është shumë situatë e vështirë! Ata nisin e mbledhin grurin më 25 qershor. Gruri është bërë sot, ai hapet dhe bie në tokë. Unë jam i detyruar që ta marr ta fus brenda, nuk e lë dot atje. Në botë është privilegj të jesh bujk, në Shqipëri konsiderohesh një hiç, një zero”, thotë i shqetësuar fermeri.
Sipërfaqe me grurë në Divjakë, 15 qershor 2022
Veç kësaj, ai ngre shqetësimin në lidhje me mungesën e mbështetjes nga qeveria.
“Nuk kemi pasur mbështetje, nga shteti jemi zero. Kam 15 hektarë sipërfaqe në Tërbuf që i kam me qira. Kam aplikuar për naftën, por nuk më ka dalë akoma. Më bie një ton naftë të marr dhe unë nuk kam marrë asgjë”, bën të ditur bujku Shefik Qyshku.
Grurë në Divjakë, 15 qershor 2022
Alarmin për situatën e fermerëve deputeti Braçe e ngriti edhe disa ditë më parë, deklaratë nga e cila Faktoje u nxit të bënte verifikimin në terren më 15 qershor.
“Nuk po ua them rendimentin pas peshimit, por katër duar plehrim e kanë çuar në qiell koston…Dua t’i apeloj fort qeverisë: Bordi të analizojë kostot e fiksojë çmimin! Mos harroni na duhet çdo gramë grurë këtë vit e më shumë vitin tjetër!”, apeloi ish-kryeministri Erion Braçe në rrjetet e tij sociale.
Apeli i Braçes i pasqyruar në gazetën Panorama, 15 qershor 2022
Në një artikull të publikuar më 9 qershor, Faktoje raportoi se pavarësisht propagandës së qeverisë për subvencionimin e bujqësisë, shifrat e INSTAT tregojnë se në 2021, ajo pati rritjen më të ulët ndër vite, me vetëm 0.28%. Sipas ekspertëve, një sektor ku rezulton e punësuar gati gjysma e popullsisë, ose 44%, po gënjehet me ‘thërrime’ nga qeveria dhe po na shndërron në shoqëri konsumatore të produkteve të vendeve fqinje./ Faktoje