Sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë pas ndërhyrjes së saj ushtarake në Ukrainë po shkaktojnë një efekt domino në të gjitha sferat e ekonomisë së vendit. Për qytetarin e zakonshëm rus – kjo përkthehet në një rritje të mprehtë të çmimeve.
Çmimet ushqimore sot në një supermarket rus janë gati 20% më të shtrenjta se sa ishin përpara se Vladimir Putini të dërgonte trupat e tij në Ukrainë.
Rritja e çmimit prek të gjitha prodhimet, ndërkohë që artikujt e prodhuar në Perëndim, ka kohë që mungojnë nëpër rafte. Analistët thonë se situata mund të përkeqësohet.
“Sanksionet do të zgjasin për një kohë të gjatë. Jo me muaj, por me vite. Të ardhurat nuk do të rriten për një kohë të gjatë. Njerëzit do të bëhen më të varfër”, thotë ekonomistja Natalia Zubarevich.
Sanksionet perëndimore i kanë lënë prodhuesit rusë pa pjesë këmbimi dhe materiale të tjera. Analistët thonë se vëllimet e shitjeve në disa sektorë, si industria e automobilave, kanë rënë me më shumë se 80%.
“Situata në Rusi, megjithëse ngadalë, po ndryshon për më keq, sepse nga njëra anë, ka degë të industrisë që kanë pushuar plotësisht së ekzistuari”, thotë biznesmeni Dmitry Potapenko.
Shifrat zyrtare japin një pamje tjetër.
Presidenti rus së fundmi theksoi shifrat e ulëta të papunësisë në Rusi.
“Dua të vë në dukje shkallën e ulët të papunësisë. Në prill, shkalla e papunësisë në Rusi ishte në një nivel të ulët historik dhe, në maj, numri i të papunëve të regjistruar zyrtarisht nuk u rrit, madje ra disi”.
Në rrugë, perceptimi i krizës nga qytetarët e thjeshtë varion mes skepticizmit dhe shqetësimit.
“Inflacioni sigurisht që ndikon tek ne, sepse çmimet janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për ilaçet dhe ushqimet”, thotë Estela Kameneva, e papunë.
“Ushqimi është shumë më i shtrenjtë”, thotë Artyom Borok, specialist kompjuterash.
“Situata nuk prek shumë Rusinë. Nuk e kam idenë se çfarë po ndodh jashtë vendit. Në SHBA dhe Evropë, inflacioni është shumë i lartë”, thotë pensionisti Roman Markov.
Ndërsa ekonomistët parashikojnë një rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe gjymtim të disa industrive për shkak të mungesës së furnizimit, në rrugët e Moskës, mund të duket si një verë e zakonshme. /VOA