Trafiku i internetit nga rrjetet celulare u rrit me pothuajse 42% në tremujorin e parë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 44.5 milionë Gigabyte (GB).
Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, një përdorues mesatar shpenzoi 7.22 GB internet në muaj, me një rritje prej 40.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave nga AKEP, për tremujorin e parë numëroheshin afërsisht 2.06 milionë përdorues të internetit me nga rrjetet celulare, 1.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Statistikat në vitet e fundit tregojnë se shërbimi i internetit po fiton gjithnjë e më shumë peshë në biznesin e operatorëve celularë.
Hapësirat e krijuara nga teknologjitë që mundësojnë transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë (3G/4G) e kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore përdorimin e telefonave celularë dhe të shërbimeve që operatorët ofrojnë.
Përdorimi i internetit po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt mobilitetit, duke përfshirë informacionin argëtimin, përdorimin e rrjeteve sociale, por edhe platformat e komunikimit.
Në një masë të madhe, aplikacionet e komunikimit të bazuara tek interneti po zëvendësojnë edhe komunikimin direkt nëpërmjet rrjeteve celulare.
Me rritjen e peshës së internetit në strukturën e shërbimeve celulare, cilësia e tij po bëhet gjithmonë një element përcaktues në konkurrencën drejt operatorëve.
Kjo mund të vërehet qartë edhe në orientimin e fushatave të marketingut.