Nga Alket Veliu
Duke ardhur në këtë foltore përjetova dy ndjesi të forta, e para lidhet me përgjegjësinë që të jep kjo sallë sidomos kur flet për Çamërinë dhe e dyta lidhet me ju qe jeni ulur në karriket e institucionit më të lartë ne Shqipëri, duke e kthyer për pak orë parlamentin në shtëpinë tonë, Çamerinë.
Mesila, më lejo të të falenderojë për këtë ide brilante tënden nëpërmjet së cilës na e solle Çamërinë në parlament. Sëbashku me Kryetarin Z. Shpëtim Idrizi dhe deputetin Nustret Avdullai juve i dhatë kuptim votës së çamëve dhe na bët të kuptojmë sa e rëndësishme është të mbështesim shtëpinë tonë.
Rrugëtimi im që nga lindja dhe deri me sot, ashtu si dhe i juaji është shoqëruar me emrin çam. Në fëmijëri çuditesha nga stigmatizimi që na bëhej, pasi dëgjoja shpesh : qe janë njerëz të zot por… gjithmonë kishte një “por” që lidhej me origjinën. Fatkeqësisht kjo “por” na shoqëron dhe sot. Kemi djem dhe vajza te talentuar te cilët shkëlqejnë në fusha të ndryshme dhe kontribojnë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare por janë dhe me mijëra të tjerë të cilët kanë lënë Shqiperinë pikërisht për mos ta dëgjuar më këtë “por”.
Para viteve 90 e kemi njohur Çamërinë vetëm nga rrëfenjat e prindërve dhe gjyshërve tanë, kur dëgjonim për ato brigje te bukura buze detit Jon përpiqeshim të përfytyronim parajsën mbi toke pa e besuar që një ditë ne do të shikonim me sytë tanë ato që dikur i shikonim nëpërmjet syve të tyre.
Jemi rritur me rrëfenjat e gjyshërve tanë për dhimbjen dhe gjenocidin e ushtruar mbi ne dhe më vjen keq që edhe sot e kësaj dite nga klasa politike greke nuk ka as më të voglën vrasje të ndërgjegjes për krimet e kryera, ndonëse mjaft historianë dhe intelektualë grekë janë përpjekur të trokasin fort në ndërgjegjen e grekëve të sotëm, dhe klasës politike të këtij vendi.
Por Akoma më keq më vjen, me ata që ulen në keto karrike prej 30 vitesh të cilët kanë zgjedhur heshtjen dhe mos përballjen për çështjen çame, për çështjen që është po aq e tyre sa dhe e jona, duke treguar mungesë të theksuar dinjiteti kombëtar.
Ata që do të ulen të Enjten te kjo salle do ti pyesja: A ju bren sadopak ndërgjegja që për çështjen çame jeni në të njëjtën linje me politikën greke, pra me injorimin qe I bëhet kësaj çështje dhe jo të respektoni vullnetin e votuesve tuaj shqiptar? Çfarë do tu thoni fëmijëve tuaj lidhur me heshtjen për çështjen çame?
Ju që do të uleni të Enjten në këtë sallë duhet të dini që ndaj shqiptareve të Çamërisë është ushtruar Genocid, I njohur ky fakt edhe nga ky parlament në 1994.
Por ju duhet të dini që genocidi kurrë nuk ndodh duke të vrarë per atë që ti bën, por për atë që ti je. E pra shqiptarët e Çamerisë u vranë pikërisht për faktin e vetëm që ishin Shqiptar.
Ne jemi gati të falim për hir të paqes dhe bashkëjetesës në harmoni të brezave që vijnë, por për këtë duhet njëbakt i guximshmëm i shtetit grek për të pranuar genocidin e ushtruar dhe për ta futur çështjen çame në rrugën e zgjidhjes në kuadër të të drejtave të njeriut, duke i kthyer shqiptarëve të Çamërisë çdo të drejtë të mohuar.
Parlamenti Shqiptar, qeveria shqiptare, mediat dhe shoqeria jonë padyshim që mund të luajn një rol të rëndësishëm në rrugën e zgjidhjes së çështjes çame, separi duke e ndjerë si çështje të vetën, duke mos heshtur por të kërkojn drejtësi dhe zgjidhje me mjete demokratike. Të gjithë duhet të distancohemi nga esktremizmi i investuar nga armiqtë e çështjes çame. Që ditën e parë qe ne krijuam Shoqatën Patriotike Çameria kemi qënë dhe jemi të qartë në kërkesat tona duke kërkuar zgjidhje të pranuar nga faktori ndërkombëtar pa rivendikim territorial.
Si rrallë herë kjo sallë , sot flet Shqip dhe për Shqiptarët me atë forcë që shqiptarët do të donin të flitej këtu. Sot kjo sallë u tregon të gjithë atyre që thonë që ska çështje came, që ne ekzistojmë dhe bashkë me ne ekziston dhe historia jonë.
Unë kam menduar që burrat e mëdhenj te Çamërisë, si Pirro i Epirit, Gjin Bue Shpata, Marko Bocari, Xhavellajt, Caparenjtë, Hasan Tahsini, Bilal Xhaferi e shumë të tjerë, bashkë me historinë dhe traditat çame janë të papërsëritshëm.
Kjo është arsya e krijimit të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” për të promovuar vlerat e Çamërisë, historinë, figurat e shquara dhe traditat tona. Për një kohë relativisht të shkurtër ne kemi folur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nëpërmjet promovimeve të botimeve tona për Çamërinë dhe për çështje me interes kombëtar. Dua të përmend bashkëpunimin që kemi patur me Akademinë e Shkencave të Shqiperisë për disa botime por edhe bashkëpunimin me personalitete të shquara me vokacion kombëtar në Shqiperi.
Më vjen mire që kërkesa për bashkëpunim me Fondacionin vijnë nga shumë prej jush në këtë sallë dhe ju ftoj të kontribojmë pranë Shoqatës Patriotike Çamëria dhe Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” për të ndihmuar promovimin e këtyre vlerave që vijnë nga krahina e Çamërisë.
Çamëria është e të gjithë çamëve, Çamëria është e të gjithë Shqiptarëve dhe ka nevojë për të gjithë ju.
Sot është dita që shqiptarët mos ti tremben më Çamërisë, Sot është dita që Çamëria të jetë e çdo shqiptari.
Ne kurrë nuk do të rreshtim së punuari për të treguar të vërtetën e Çamërisë
Ne kurrë nuk do të rreshtim së kërkuari të drejtën tonë për tu kthyer në shtëpitë tona.
Rroftë Çamëria!
/ Fjala dje në parlamentin e Shqipërisë në kuadër të javës Çame