Presidenti Ilir Meta ka pritur këtë të martë Presidentin e Provincës së Materas, Piero Marrese dhe Kryetarin e Bashkisë së Materas, Domenico Bennardi në një takim.
Në një postim në Facebook Meta u shpreh se gjatë takimit theksoi rëndësinë e lidhjeve si dhe nevojën e shkëmbimit të eksperiencave në fushën e ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë historike dhe agroturizmit.
“I lumtur të prisja sot në një takim të ngrohtë dhe të frytshëm Presidentin e Provincës së Materas, z.Piero Marrese dhe Kryetarin e Bashkisë së Materas, z.Domenico Bennardi.
U njoha me vendimin e autoriteteve të larta të këtij Rajoni për të pranuar propozimin tim gjatë vizitës që zhvillova në muajin prill, për firmosjen e Marrëveshjes Trepalëshe të Bashkëpunimit midis Beratit, Materas, të dyja pjesë të UNESCO, si dhe me Provincën e Materas me 31 bashkitë e saj.
Theksova rëndësinë e forcimit të lidhjeve të gjithanshme, si dhe nevojën për shkëmbimin e eksperiencave në fushën e ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë historike dhe agroturizmit.
Falenderoj autoritetet e Provincës së Materas për kujdesin që tregojnë ndaj arbëreshëve dhe komunitetit shqiptar atje.
Ju uroj suksese Beratit dhe Materas në këtë bashkëpunim të ri dhe mirëpres të tjera binjakëzime të suksesshme midis bashkive të dy vendeve tona!”, shkruan Meta.