Disa organizata jo-qeveritare, përmes një komunikate për media, kanë vlerësuar se përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka qenë e rregullt.
E për këtë ata kanë kërkuar që çështje e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit të kthehet në pikën zero, pasi sipas tyre vërejtjet për këtë proces janë serioze.
“Në këtë Raport si dhe në vazhdimësi, Koalicioni e shihte të domosdoshme që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të kthehej në pikën zero, duke vlerësuar që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte dështuar të siguronte integritetin dhe meritokracinë e këtij procesi”, thuhet në komunikatën.
Mes tjerash në komunikatë, bëhet e ditur se organizatat në fjalë kanë vlerësuar që paneli intervistues ka dështuar në një vlerësim objektiv dhe gjithëpërfshirës të kandidatëve.
“Një parregullsi e tillë e procesit tani dëshmohet më së miri nga formularët e vlerësimeve të kandidatëve (fletëpoentimet) nga secili anëtar i panelit intervistues. Këto fletëpoentime Koalicioni ka arritur t’i sigurojë më 10 qershor 2022, vetëm përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që Këshilli Prokurorial nuk ishte përgjigjur fare në Kërkesën për Qasje në Dokumente Publike të Koalicionit, të dorëzuar më 4 prill 2022”.
Pas analizimit të fletëpoentimeve të secilit anëtar të panelit intervistues, për secilin kandidat për Kryeprokuror të Shtetit, Koalicioni ka vërejtur se arsyetimi i vlerësimit për secilën kategori poentuese është i cekët dhe i mungon analiza e duhur, dhe është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin për nenet 13 dhe 14 të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurorëve, të miratuar nga vetë KPK