Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka paralajmëruar se Evropa duhet të përgatitet menjëherë për ndërprerjen e plotë të eksporteve të gazit rus këtë dimër.
Ajo u ka kërkuar qeverive të marrin masa për të ulur kërkesën dhe për t’i mbajtur të hapura centralet bërthamore të vjetruara.
Fatih Birol, kreu i IEA-së, tha se vendimi i Rusisë për të reduktuar furnizimet me gaz në vendet evropiane javën e kaluar, mund të jetë një pararendës i shkurtimeve të mëtejshme, pasi Moska do të fitojë “terren” gjatë luftës së saj me Ukrainën.
“Sa më shumë që i afrohemi dimrit, aq më shumë i kuptojmë synimet e Rusisë”, tha ai.
“Besoj se shkurtimet janë të orientuara drejt shmangies së mbushjes së depozitave nga Evropa dhe rritjes së presionit të Rusisë në muajt e dimrit”.
IEA, e cila financohet kryesisht nga anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), vitin e kaluar ishte një nga organet e para zyrtare që akuzoi Rusinë publikisht për manipulimin e furnizimeve me gaz në Evropë, si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Birol tha se masat emergjente të marra nga vendet evropiane këtë javë për të reduktuar kërkesën për gaz, të tilla si ndezja e termocentraleve të vjetra me qymyr, justifikoheshin nga shkalla e krizës, pavarësisht shqetësimeve për rritjen e emetimeve të karbonit.
Ai tha se rritja e prodhimit me qymyr ishte “e përkohshme” dhe do të ndihmonte në ruajtjen e furnizimeve me gaz për ngrohje në dimër.
Çdo emetim shtesë i CO₂ nga djegia e qymyrit shumë ndotës do të kompensohej nga një përshpejtim në planet e Evropës për të reduktuar varësinë e saj nga karburantet fosile të importuara dhe për të ndërtuar kapacitetin e prodhimit të rinovueshëm, shtoi ai.
Por Birol paralajmëroi se hapat e ndërmarrë nga qeveritë evropiane deri më tani ndoshta nuk kanë shkuar aq larg, nëse eksportet ruse ndërpriten plotësisht dhe tha se vendet duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ruajtur furnizimet tani që magazinimi të mbushet përpara muajve të dimrit.