Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso ka reaguar ndaj projektligjit të amnistisë fiskale, ku qeveria ka vendosur deklarim të lirë deri në 2 milionë euro.
Kaso është shprehur se ky ligj do të bëhet për ata që do të pastrojnë lekët dhe janë ë lidhur me qeverinë, sepse emigrantët nuk kanë nevojë për një ligj të tillë që të sjellin të ardhura këtu.
Sipas tij ky është operacioni më kriminal për pastrimin e parave.
“Ja pra që nuk e paska patur për emigrantët që donin të dërgonin 30 000 £ në Shqipëri e gjoja s’mund ta bënin lehtësisht, por e paska patur për ata “hallexhinjtë” e tjerë… vëllain, motrën, shokun, mikun, shoferin, dashnoren e kujtdo që është pasuruar nëpërmjet keimit e korrupsionit e paskan hallin e madh se si do legalizojnë nga 2 mln € pasuri për kokë. Hall i madh s’ke ç’thua por veç për këto lloj hallesh mendon kjo maxhorancë mbasi s’la hall tjetër pa ju lëshuar në shpinë shqiptarëve! Operacion më kriminal pastrimi parash të pista nuk besoj se mund të ketë, në projektim e zbatim, as në ndonjë vend të botës së tretë e jo më në një vend që aspiron të hapë negociatat për anëtarësim. Shuplakë fytyrës MONEYVAL-it që na ka shpallur tashmë “delja e zezë” e Evropës dhe çdo naivi që ka ndonjë iluzion mbi drejtimin që ka marrë ky vend,” ka shkruar ai.