Gjovalin Shkurtaj
(Rreth librit të Shefkije Islamajt, Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021 (829 f.)
Prelud
Para do kohe, gjuhëtarja e njohur kosovare, prof. dr. Shefkije Islamaj, mbasi kishte thyer rekordet në filologjinë shqiptare me dy monografitë e gjera kushtuar gjuhës së dy shkrimtarëve të mëdhenj: prozatorit Jakov Xoxa dhe poetit Gjergj Fishta, ashtu si alpinistët që nuk rreshtin s’u ngjituri në malet ku të jenë më të lartat, vjen me një tjetër studim të gjerë filologjik e pikërisht me monografinë Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, një vepër e vëllimshme prej plot 829. Libri është botim i vitit 2021, mbase edhe ka qenë ideuar të dilte për 85-vjetorin e ditëlindjes së akad. Rexhep Qosjes, që binte vjet më 25 qershor. Kjo datë, ndërkaq po vjen sërish dhe, recensioni vlerësues për këtë monografi të prof. dr. Shefkije Islamajt për gjuhën dhe ligjërimin e prozës letrare të këtij shkrimtari, pak të thuhet ndër më të mëdhenjtë e letrave shqipe, le të jetë, ndërkaq, edhe si një urim për 86-vjetorin e ditëlindjes së këtij burri të shquar të kombit shqiptar.
Libri “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes” ka dalë nga shtypi në vitin 2021, por mua më ka rënë në dorë në muajt e parë të 2022-shit, si dhuratë e dërguar dorazi nga autorja nëpërmjet një kolegu të Institutit Albanologjik. Mbasi i dhashë një lexim të parë “diagonal” e për të shuar kureshtjen e ligjshme, më pëlqeu ideimi dhe parashtrimi i lëndës dhe, ashtu turravrap, i dërgova një e-mail të shkurtër koleges së nderuar, ku i thosha:
“E nderuar dhe e dashur Profesore Shefkije,
Sapo mora dhuratën Tuaj, librin Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes, të cilin ma solli dorazi Naim Berisha.
Ju falënderoj dhe, së pari, ju uroj dhe ju përgezoj për këtë kontribut të ri, shumë të mirëseardhur kushtuar ligjërimit, gjuhës dhe stilit të shkrimtarit, mendimtarit e studiuesit të shquar të letërsisë shqiptare, akademikut Rexhep Qosja.
E mora dhe jam duke e shfletuar a (më saktë) duke e përkëdhelur me kujdes e duke menduar sa orë, ditë e javë pune ju janë dashur për ta shestuar, shkruar e përgatitur për botim këtë libër prej plot 829 faqesh.
Të lumtë dora e të punoftë mendja edhe për vepra të tjera kësodore, jo pse ke shkruar pak (ato që keni shkruar e botuar deri sot janë një raft i tërë), por sepse koha dhe shoqëria shqiptare, pavarësisht nga shqetësimet e pësimet e pamira që ende na pengojnë si komb e si bashkësi etnike shqiptare, kanë nevojë per t’i njohur e ndriçuar veprat, vlerat dhe veprimtaritë e figurave të shquara të kombit tonë, sikundër është akademiku Rexhep Qosja.
Do ta lexoj librin me ëndje e kënaqesi dhe, shëndosh qofshim, do të gjej kohën për të shkruar më gjatë.
Edhe një herë, urimet e mia më të përzemërta dhe faleminderit që ma dërgove këtë libër vertet të çmueshëm!”
Dhe, kolegia e nderuar, pa mënuar më përgjigjej mjaft e gëzuar:
“Letër-urimi juaj më gëzoi shumë profesor Gjovalin! Urimi juaj për botimin e librit tim, shoqëruar me dashamirësinë tuaj të çdohershme dhe vlerësimin tuaj kurrë të munguar, më bëri të ndihen më shumë se mirë.
Ju e dini fort mirë, si autor i aq shumë librave e i aq shumë kontributeve të çmueshme e të pazëvendësueshme në fushën e gjuhësisë e më gjerë, se ç’do të thotë për autorin botimi i një libri, prandaj e keni shprehur aq çiltër gëzimin e urimin tuaj, për çka e keni mirënjohjen time të pafund.
Ju e dini mirë edhe tjetrën, e dini mirë se si ndihet autori kur ndien përzemërsinë e gëzimin e uruesit, sidomos vlerësimin si me gojë, si me shkrim të studiuesit, të njohësit të shkëlqyer të fushës, të kolegut dhe sidomos të mikut, prandaj nga zemra po ju them edhe një herë: Ju faleminderit profesor Gjovalin për gjithçka që thoni në këtë e-mail-urim tuajin!
Çdo libër a studim e do mundin e vet dhe ai nuk është i vogël, siç e dini mirëfilli ju profesor Gjovalin, përkundrazi, e thoni ju shumë bukur: “sa orë, ditë e javë pune ju janë dashur për ta shestuar, shkruar e përgatitur për botim”, prandaj gëzimi është aq më i madh kur ndien urimin dhe dashamirësinë e atij që ka kaluar shumëherë si ju nëpër këtë “rrugëtim libror”, sa të vështirë e sa gëzimsjellës, prandaj jeni ndër të parët që ua kam dërguar librin.”
Hera e mbarë e pruri që, mbas pandemisë që na qe turrur si shaka (bushtra) e tërbuar, ndonëse me vonesë, po e mbaj premtimin dhe, në hapësirën e lejueshme të gazetës “Dita”, duke përfituar edhe nga mirëkuptimi i zotit Xhevdet Shehu, gazetarit e dashamirit të gjuhës e të gjuhëtarëve shqiptarë, po bëj një vlerësim më të nyjëtuar të prurjeve, vlerave dhe porosive që dalin nga leximi i librit të prof. dr. Shefkije Islamajt “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarine latrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”.
Së pari, disa fjalë për autoren.
Shefkije Islamaj studiuese e përkushtuar dhe autore prodhimtare në fusha të rëndësishme të gjuhësisë, duke u dalluar sidomos për ndihmesat e saj të shumta e të vyera për kulturën e gjuhës dhe për njohjen e pohimin e vlerave të gjuhës së letërsisë artistike. Autore, ndër të tjera, e dy monografive madhore për dy shkrimtarë të shquar: prozatorit Jakov Xoxe (“Gjuha e Jakov Xoxës-Veçori leksiko-semantike dhe stilistike”, Prishtinë, 2000, 422 faqe) dhe poetit Gjergj Fishta (Gjuha dhe stili, Prishtinë, 2012 në dy vëllime me 1100 faqe). Studiuesen Shefkije Islamaj e vlerësoj për prodhimtarinë e saj të begatë studimore, me prurje të shumta shkencore që rrokin fusha të ndryshme të gjuhësisë së sotme, fryte të një veprimtarie studimore dhe hulumtuese tashmë shumëvjeçare të autores, po edhe dëshmi e bukur e qëndrimit të gjallë qytetar, kurdoherë në mbrojtje e në mbështetje të plotë të gjuhës shqipe e të mbërritjeve të saj, kurdoherë në kahun e mbarë të njësimit, normëzimit dhe shtimit të vlerave e të shprehësisë stilistike të shqipes standarde. Ajo është, gjithashtu, shkrimtare e talentuar dhe një nga gratë më të shquara të letrave shqiptare në Kosovë e më gjerë.
Kam shkruar edhe më parë për botime të suksesshme të saj, si “Gjuha, ligjërimi dhe fjala” (2004) dhe për monografinë e saj kushtuar gjuhës e stilit të Gjergj Fishtës. E përgëzoj prof. Shefkijen për punën aq zelltare e të mirëseardhur që ajo është duke i blatuar kulturës së gjuhës dhe rrjedhave të sotme të normës gjuhësore në Kosovë e më gjerë, sepse na pëlqen që ajo, ashtu siç u ka ka hije gjuhëtarëve të vërtetë, vijon pa asnjë lëkundje t’i dalë zot dhe ta mbrojë gjuhën standarde, shqipen tonë të përbashkët e të përpunuar, duke e vështruar atë pikërisht ashtu siç është (dhe siç i takon të jetë sot e mot, sa të jetë jeta) si treguesin më të dukshëm të përbashkësisë kombëtare, shpirtërore e kulturore të shqiptarëve.
Interelud
Akademik Rexhep Qosjen, unë, ashtu si shumë nga kolegët e mi gjuhëtarë, që kemi pasur rastin e këndshëm të shkonim në Kosovë edhe në vitet ‘70-‚80, e kam takuar asokohe dhe na ka pritur disa herë në zyrën e tij se ishte drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, apo në darkat e drekat zyrtare për grupet e studiuesve që shkonim në kuadrin e marrëveshjes për ekspedita studimore dhe, natyrisht, gjithmonë ktheheshim të ngarkuar me botime të atjeshme, ndër të cilat më të dëshiruarat ishin pikërisht librat studimorë dhe letrarë të prof. dr. Rexhep Qosjes. Kur qe botuar edhe në Tiranë romani i tij „Vdekja më vjen prej syve të tillë” pata shkruar e botuar në gazetën „Drita“ (14 shkurt 1988) një sprovë për kundrimin e vlerësimin e prurjeve leksikore e frazelogjike dhe kaheve kryesore të ligjërimit e stilit të Rexhep Qosjes. (Atë shkrim, më vonë, e kam përfshirë dhe në përmbledhjen studimore „Ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur“, SHBLU,Tiranë, 1996, f.117-124).
Mbas kaq vitesh, duke lexuar vlerësimet dhe shqyrtimet aq të nyjëtuara, të argumentuara e të shembullzuara gati shterueshëm që ka sjellë prof. Islamaj në librin kushtuar gjuhës e ligjërimit të R. Qosjes, nuk mund të mos gëzohem që, në ata rreshta që kam shkruar edhe unë, qoftë edhe në kohën e „zgatjes së qafës“ e të pamundësisë për t’i shprehur lirshëm të gjitha vlerësimet, sidoqoftë, në disa prej cilësimeve kryesore kemi përputhje me sa parashton kolegia jonë e nderuar. Aty, ndër të tjera, kam shkruar:
„Tek lexoja librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të shkrimtarit kosovar Rexhep Qosja, i ndodhur përballë fjalësh, frazeologjizmash dhe togfjalëshash të qëndrueshëm apo mënyrave të të thënit sa të bukura e origjinale e të larmishme, aq edhe të qëlluara e të përdorura me origjinalitet e në përputhje me kontekstet e përftesat artistike përkatëse, m’ u kujtua ai vlerësimi i kritikëve të kohës për gjuhën e N. Gogolit, që thoshin se fjalët e tij “nuk janë thjesht fjalë, ato gjëmojnë si bubullima dhe shkrepëtijnë si rrufeja“. Para se të hyjmë në analizën tonë kryesisht gjuhësore e stilistike, le të themi dy fjalë për autorin: Rexhep Qosja është i njohur ndër ne kryesisht si kritik letrar e si historian i letërsisë shqiptare, si autor studimesh e veprash monografike përgjithësuese madhore në këto fusha, si: “Episode letrare” (1967), “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Kritika letrare” (1969), “Antologjia e lirikës shqipe” (1970), “Kontinuitete” (1972), “Asdreni-jeta dhe vepra e tij” (1972), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975), “Anatomia e kulturës” (1976), “Mite të zhveshura” (1978), “Prej tipologjisë deri tek periodizimi” (1979), “Nocione të reja albanologjike” (1983), “Historia e letërsisë shqiptare” (1984). Ai është, njëherazi edhe shkrimtar e dramaturg me merita, mjeshtër i ligjërimit letrar, një nga njohësit dhe studiuesit më në zë të letërsisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe si mjet i realizimit të veprave letrare artistike. Më 1974 ai botoi në Prishtinë librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i cili ka pasur atje një jehonë të mirë. Pas ribotimit të saj edhe në Tiranë nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” kjo vepër po lexohet me interes të veçantë edhe ndër ne.
Në mënyrë të veçantë në këtë roman bien në sy këto cilësi të ligjërimit artistik:
- a) zbatimi i sigurt dhe me gjithë koherencën e nevojshme i normave të gjuhës letrare kombëtare shqipe, gërshetuar aty me ngjyresën e nevojshme krahinore të krejt ligjërimit në përgjithësi e të disa prej personazheve në veçanti;
- b) pasuria dhe larmia e leksikut, begatia e sinonimisë leksikore dhe sidomos e asaj sintaksore e stilistike, përdorimi i tyre me efekte të mëdha shprehëse e me një vulë të theksuar origjinaliteti;
- c) gërshetimi e harmonizimi aq mjeshtëror i fjalëve të zakonshme, të leksikut të gurrës popullore, herë-herë edhe krahinore të ngushta të anëve verilindore, me ato të zgjedhura, me termat e fjalëformimet librore apo me leksikun e stileve funksionale të gjuhës së shkruar, që i përket mbarë shqipes.
Të gjitha këto, të kundruara bashkërisht, lidhen e shkrihen me njëra-tjetrën mbi bazën e një parimi estetik, të cilit autori i përmbahet tejendanë kësaj vepre dhe që e ka si “vulë” të tij jo vetëm si shkrimtar, po edhe si kritik e si historian i letërsisë: ai synon të ndikojë te lexuesi, ta rrëmbejë atë deri në pushtimin e plotë të ëndjes së tij estetike, jo vetëm me atë që thotë, por edhe me mënyrën se si e thotë; me përmbajtjen e thellë, por edhe me formën e me fjalën e thënë bukur. Si njohës i mirë i ligjërimeve e të folmeve popullore të Kosovës e përgjithësisht të trevave verilindore të shqipes, po edhe të gjuhës letrare shqipe të njësuar (standard) e të gjedheve fjalëformuese shqipe, R. Qosja shquhet në vepër për aftësinë që të krijojë figura, të japë mjedise e tablo të gjera, të përshkruajë e të portretizojë, të tipizojë dhe të karakterizojë personazhe nga më të ndryshmit, me hollësinë dhe bukurinë e nevojshme, po edhe me të gjitha ngjyresat e duhura ligjërimore që u përshtaten atyre. Në tërë veprën spikat njohja e mirë që ka autori, nga një anë, për normën letrare kombëtare, të cilën e zbaton me zotësi e rreptësi të lëvdueshme, por edhe zotërimi shumë i mirë i fjalës së bukur shqipe, i figurshmërisë popullore e artistike të kultivuar, të trashëguar nga tradita e letërsisë. Prej këtyre gurrave ai thith gjithnjë në mënyrë krijuese dhe sjell vistra të shumta fjalësh, frazeologjizma e togfjalësha të qëndrueshëm që mbartin frymën popullore e ngjyresat më të bukura krahinore, por që treten e shkrihen natyrshëm me trajtat normative letrare, duke e bërë ligjërimin e kësaj vepre të pasur, por edhe të mprehtë; kumbues e të njësishëm, por edhe të fuqishëm e me peshë të madhe ndikuese te lexuesi.
Proza e Rexhep Qoses, ashtu si edhe e mjaft shkrimtarëve të tjerë kosovarë si e Ramiz Kelmendit, Nazmi Rrahmanit, Anton Pashkut, Mehmet Krajës, Jusuf Gërvallës etj., mbështetet gjerësisht dhe në traditën e pasurinë gojore të prozës popullore, duke thithur së andejmi sidomos mprehtësinë e thënies, të folurit me nëntekste të fuqishme apo “me rrotulla”, frazeologjizmat e fjalët e urta për t’ i ngjizur e mbrujtur me tiparet më të mira të prozës artistike, duke arritur deri te romani, si shkalla më e lartë e gjinisë së prozës, ku edhe gjuha e figurshme ka mundësi të shfaqet në përmasat më të mëdha.“
Në qershor të vitit 2006 kam marrë pjesë edhe në Konferencën shkencore kushtuar 70-vjetorit të ditëlindjes së akad. Rexhep Qosjes dhe, me atë rast, kam mbajtur kumtesën me titull „Rexhep Qosja -mbrojtës i flaktë dhe lëvrues i merituar i gjuhës letrare shqipe“, botuar në përmbledhjen e kumtesave të për atë jubile me titullin „Krijimtaria shkencore dhe letrare e Rexhep Qosjes“, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2007, f. 341-360, dhe në librin tim „Kundrime gjuhësore-Sociolinguistikë, Etnografi e të folurit, Kulturë gjuhe“, Shtëpia Botuese „Pegi“, Tiranë, 2006, f.99-109.
Për arsye „historiati“, po më tepër për të treguar se jemi në një kah të përbashkët me vlerësimet e monografisë së prof. Islamajt, po edhe për faktin se ato që i kam thënë e shkruar vite më parë, jo vetëm meritojnë të theksohen e të shtohen, po edhe, modestërisht, më krenarojnë sepse edhe u kam prirë (apo më saktë kam qenë ndjellamirë i) studimeve e analizave të gjera për ligjërimin, gjuhën dhe stilin e e Rexhep Qosjes, po sjell këtu disa rreshta të hyrjes së kumtesës sime të para 16 viteve:
“Tubimi i sotëm, përtej vlerave mirëfilli shkencore e kulturore, është në radhë të parë një tubim festiv, një ditë e gëzueshme, një ditë e lumtur, sepse na jepet rasti t’ia themi fjalët e mira që meriton një burri të madh të letrave shqiptare, mikut dhe kolegut tonë të madh e të nderuar, akad. prof. Rexhep Qoses, njeriut që aq shumë e adhurojnë lexuesit dhe studiuesit shqiptarë e më gjerë, prandaj, para se të filloj me kumtesën time modeste, desha t’ia uroj atij 70-vjetorin, duke i dëshiruar shëndet e frymëzim dhe jetë të gjatë për të na dhënë edhe shumë vepra të tjera e për të ndjerë edhe më tej gëzimin e ligjshëm se ata që e ndjekin, e duan dhe e çmojnë kanë qenë e janë gjithmonë e më të shumtë. Kam nderin ta quaj veten njërin prej tyre dhe, në këtë rast solemn e gazplotë për të, erdha t’ia them këtë me gojën plot dhe t’ia shtrëngoj dorën fort e fort, duke i sjellë, gjithashtu, urimet e të falat e kolegëve dhe dashamirëve të tjerë të Universitetit të Tiranës, veçanërisht të studentëve dhe mësimdhënësve të Departamentit të Gjuhës Shqipe që kam nderin t’i përfaqësoj sot këtu.
Në këtë kumtesë, kryekreje, dëshirojmë të shprehim vlerësimin për ndihmesat shumë të vyera të akad. Rexhep Qoses në mbrojtje të gjuhës shqipe të njësuar, duke pasur si kryetemë postulatin e tij tashmë të mirënjohur e të tumiruar gjithandej se gjuha shqipe e njësuar është, në fakt, pasuria më e madhe e bashkarisë shpirtërore të mbarë kombit shqiptar. Vlerësimet e larta e të drejta të akad. Rexhep Qosjes për gjuhën shqipe na duhet t’i përmendim e t’i vlerësojmë lart jo vetëm pse atij po i festojmë 70-vjetorin e ditëlindjes dhe rasti e kërkon t’ia blatojmë nderimet dhe mirënjohjet më të larta, por edhe për rrethanën se, jo rrallë, në vend se të merremi me problemet e përudhjes e kujdesjes së mbarëvajtjes së mëtejshme të bashkarisë shpirtërore e kulturore që lypin sot më tepër se kurrë koha dhe shtigjet e reja të kombit shqiptar, për sherr të disa personave që vajtojnë e nuk mejnë së vjelli vrer ndaj udhës e procesit njësues e përbashkues të shqipes standarde, kemi qenë e po vijojmë të jemi të shtrënguar të bjerrim mot e t’u japim ndonjë flakaresh, natyrisht të merituar, pra, edhe të përsërisim ndonjë prej pohimeve e piketave tashmë të ditura e të vlefshme për bashkarinë e mëtejshme shpirtërore, kulturore, letrare dhe, mbi të gjitha, etnike e kombëtare të shqiptarëve në ditët dhe kahet e sotme. Në të gjithë atë proces njësimi e normëzimi të shqipes, sipas meje vetëm dorëmbarë, vetëm me kah mbarëkombëtar, vetëm gjithshqiptar dhe, sidomos, vetëm kulturbërës e kulturëlartësues, që ka karakterizuar intelegjencien shqiptare qysh nga Konsulta e Prishtinës (prill 1968), në Kongresin e Drejtshkrimit (nëntor 1972) dhe, më përtej, në të gjitha tubimet e organizuara për ta përkujtuar atë, akad. Rexhep Qosja ka da në shenj për qëndrimin e tij mbrojtës, parimor, krejtësisht atdhetar e kombëtar, po edhe frymëgjatë e të mbështetur në dijet të gjera e në konceptimin e shëndoshë të shqipes si hallka më e fortë dhe më e vyer e shqiptarisë dhe e bashkarisë shiprtërore e kombëtare të shqiptarëve.
Po lejohemi të ndalemi në disa prej caqeve më të rëndësishme të kahut njësimbërës të ndjekur nga Rexhep Qosja, siç janë, së pari, zbatimi pa asnjë mëdyshje prej tij i shqipes standarde, qysh para se të bëheshin Konsulta e Prishtinës (1968) dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972), pastaj, mbështetja e pakufishme që ai i dha shqipes së njësuar, si pjesëmarrës dhe delegat nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe si referues e kumtues i autoritetshëm në të gjitha tubimet shkencore të mëpastajme që janë bërë në përkujtim e mbështetje të plotë të Kongresit të Drejtshkrimit, sidomos në vitin 1992 dhe 2002, po edhe në shumë raste të tjera e posaçërisht duke iu qasur temës së lakmueshme prej tij rreth rolit të shkrimtarëve në zbatimin e gjuhës së njësuar shqipe. Në të vërtetë, kur flasim për gjuhën letrare standarde në Kosovë, fill pas akad. Idriz Ajetit dhe gjuhëtarëve të Kosovës, vijnë në konsideratë emrat e historianit Ali Hadrit, të ndjerit akademik që ideoi shpallimin fitimtar “Një komb-një gjuhë”, dhe studiuesit të letërsisë shqiptare e shkrimtarit Rexhep Qosja.
Dhëntë i madhi Zot që hullia e mbarë e çelur prej tyre të vijojë edhe më tej, duke i shtuar radhët e dashamirëve e mbrojtësve të shqipes e të shqiptarisë, duke ua forcuar zërin e pushtetin e fjalës atyre që e bënë dhe që e mbrojnë gjuhën shqipe, atë gjuhë të përpunuar, të lëvruar e të hijeshuar, dmth. të njësuar e të standardizuar ashtu si e lyp koha për një komb të kulturuar e në udhën e përparimit, siç është tashmë edhe kombi ynë shqiptar.
Në kumtesë, natyrisht, do të flitet edhe për modelin që jep personalisht akad. Rexhep Qosja, jo vetëm kur shkruan, por edhe kur paraqitet para mediave të folura elektronike, si dhe në ligjëratat e tubimet shkencore universitare e akademike, duke na dhënë, praktikisht, mishërimin më të bukur të kujdesit dhe përpunimit letrar që duhet t’i kushtojë shqipes së përbashkët çdo intelektual me mëtime kombëtare dhe artistike frymëgjata. Kryekreje, sikundër e kisha shprehur edhe më herët, meritojnë të vihen në dukje mëtimi, këmbëngulja dhe prurjet e Rexhep Qoses në boshtin e sigurt për çdo krijues: mbrojtje e normës letrare, po edhe pasurim i shkrimtarisë me prurjet më të bukura prej gurrës së ligjërimeve popullore.” (Gjovalin Shkurtaj, „Krijimtaria shkencore dhe letrare e Rexhep Qosjes“, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2007, f. 341-360; Gjovalin Shkurtaj, „Kundrime gjuhësore – Sociolinguistikë, Etnografi e të folurit, Kulturë gjuhe“, Shtëpia Botuese „Pegi“,Tiranë, 2006, f.99-109).
Vlerësime të mirëseardhura e të tumirueshme të prof. Sh. Islamajt për gjuhën dhe ligjërimin e Rexhep Qosjes
1.Pohime dhe postulate të rëndësishme
Autorja, prof. dr. Shefkije Islamaj, e thotë me çiltërsi se këtë studim monografik fillimisht e ka ideuar e menduar si studim të mirëfilltë të veçorive gjuhësore e stilistike të prozës artistike të Rexhep Qosjes. Ajo ka qenë e vetëdijshme se kjo ishte një ndërmarrje sfiduese për të, ashtu si për secilin studiues që merr guximin t’u afrohet shkrimtarëve të mëdhenj dhe shkrimtarëve që kanë vepër të madhe jo vetëm letrare, por edhe studimore, kritike, publicistike dhe dokumentare, siç është vepra e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe – Rexhep Qosjes.
E sprovuar dhe e ballafaquar vite më parë me veprën letrare artistike të dy shkrimtarëve, po kështu, ndër më të mëdhenjtë të letërsisë shqipe – të Jakov Xoxës dhe të Gjergj Fishtës, ashtu si alpinistët e guximshëm që gjithmonë gjakojnë të ngjiten në të gjitha majat e larta, edhe ajo për t’u marrë me gjuhën e ligjërimin e R. Qosjes kishte një “arsye tjetër të fortë – dëshirën për të përmbushur një qëllim vetjak – krijimin e një trinomi a trilogjie studimore të shumëkuptimshme, por edhe simbolike: Fishta – Xoxa – Qosja, që do të thotë studim i tre shkrimtarëve të mëdhenj shqiptare të tri arealeve kryesore gjuhësore-gjeografike-kohësore që përbëjnë tërësinë shqiptare dhe i tre shkrimtarëve me prirje e tematikë, me semantikë e estetikë dhe me llojësi e strategji teknike e letrare të ndryshme e të veçanta: Gjergj Fishta, poet mbarëkombëtar, veriak, gegë, shkrimtar romantik i pjesës së parë të shekullit 20; Jakov Xoxa, shkrimtar mbarëkombëtar, jugor, toskë, shkrimtar realist i pjesës së dytë të shekullit 20 dhe Rexhep Qosja, shkrimtar mbarëkombëtar, veriako-lindor, gegë i pjesës së mbetur jashtë shtetit amë padrejtësisht – i Kosovës, i Malit të Zi dhe i Maqedonisë, shkrimtar modern-postmodern, krijimtaria letrare e të cilit fillon pesëdhjetë vjet më parë e vazhdon deri sot. Që të tre këta janë shkrimtarë të rendit të parë në botën letrare shqiptare.
Titulli i monografisë, ndoshta, do të parakuptonte më pak sesa ka sjellë autorja në faqet e librit te saj. Aty është trajtuar gjuha dhe ligjërimi i Rexhep Qosjes, por edhe është trajtuar me gjerësi gati gjithçka që i takon t’i thuhet atij si shkrimtar, si dramturg, si politolog, si ideolog etj. etj. Pra, po ta themi me fjalë të varfra, autorja nuk ka lënë gjë për autorin dhe veprat e kontributet e shumënduarshme të tij. Kjo shfaqet qartë qysh në postulatet e monografisë dhe në pohimet e vetë autores në pjesën hyrëse:
“Në këtë studim monografik, pra, do të studiohet gjuha dhe stili i prozës së tij artistike, pa lënë anash qëllimshëm semantikën e poetikën e saj, pa lënë anash çështje të tematikës dhe të ideve të saj. Kjo më ka dhënë dorë që me këtë rast të shtjelloj më tej çështjen e ngritur më lart – pse kam vendosur ta studioj prozën artistike të shkrimtarit Rexhep Qosja, në të vërtetë pse u zgjodh vepra letrare e shkrimtarit Rexhep Qosja për studim të gjerë monografik si ky dhe pse u zgjerua objektivi i studimit të prozës së Rexhep Qosjes – cilat ishin arsyet kryesore shtytëse për një studim monografik si ky, pos anës semantike dhe estetike të saj? Do ta them menjëherë dhe shkoqur: arsyet që më kanë nxitur të shkruaj këtë studim monografik për gjuhën dhe stilin e shkrimtarit Rexhep Qosja janë edhe disa çështje të mëdha të cilave ai ua ka kushtuar jetën dhe veprën. Të shkruash për një shkrimtar, që njëkohësisht është edhe studiues shkencor, historian letërsie, kritik letrar, publicist, të shkruash për Rexhep Qosjen derisa për të ekziston literaturë e pasur kritike, shkencore, letrare e publicistike, do të thotë të shkruash për të vetëm pjesërisht ose fragmentarisht, madje edhe vetëm sipërfaqësisht, që do të thotë të trajtosh vetëm një aspekt të veprës së tij të gjerë. Të shkruash për shkrimtarin Rexhep Qosja do të thotë të kesh patjetër në konsideratë edhe një dimension të krijimtarisë dhe të veprimtarisë së tij shumë të gjerë letrare, shkencore, kulturore e politike e ai dimension është: çështja kombëtare. Nuk ka çështje të rëndësishme, shqetësuese, të ndjeshme, të dhembshme të kulturës e të jetës shqiptare, nëpër kohë të ndryshme, për të cilën nuk ka shkruar ai hapur e guximshëm – nuk mund të shkruhet asnjë histori e re e zhvillimit tonë kulturor, shoqëror e politik pa pasur parasysh ato që ka shkruar dhe folur ai.” Dhe, në këtë pikë duhet të theksohet se jeta dhe vepra e tij paraqesin një sintezë unike që bashkon kuptimisht, simbolikisht dhe artistikisht katër çështje të mëdha që kanë paraqitur dhe paraqesin kuptimin dhe përmbajtjen e tyre – pra kuptimin dhe përmbajtjen e jetës dhe të veprës së tij. E ato janë:
- Çështja kombëtare dhe në kuadrin e saj çështja e çlirimit të Kosovës prej pushtimit nga Serbia dhe Jugosllavia,
- Çështja e studimit historik të letërsisë shqipe,
- Çështja e ndërtimit të demokracisë në shoqërinë e shqiptarëve dhe në dy shtetet e tyre – në Shqipërinë dhe në Kosovën, dhe
- Çështja e prozës moderne dhe postmoderne shqipe.
Gjatë shqyrtimeve dhe vlerësimeve të katërproblemet a boshtet kryesore të shkrimtarisë së Rexhep Qosjes, autorja me të drejtë ka përthekuar disa ndër përfundimet e rëndësishme e me vlerë si postulate:
“E para, ai e ka liruar historiografinë letrare shqipe së pari prej ndarjes së letërsisë shqipe në letërsi të qarqeve kulturore e letrare dhe prej ndarjes në tri letërsi, në letërsinë shqipe të Shqipërisë shtetërore, në letërsinë e arbëreshëve dhe në letërsinë e Kosovës, domethënë duke e liruar emërtimin letërsi shqipe prej reduktimit në letërsinë e Shqipërisë shtetërore Rexhep Qosja ka ndërtuar konceptin e letërsisë shqipe si letërsi mbarëkombëtare. Kjo metodologji e re në studimet historike të letërsisë shqipe shprehet dhe arsyetohet edhe në studimin e tij “Periodizimi i letërsisë shqipe”, botuar më 1973 në revistën e Institutit Albanologjik të Prishtinës “Gjurmime albanologjike – Seria filologjike”. Në të, përpos të tjerash, thuhet: ”nocioni letërsi shqipe, prandaj, do të shprehë përmbajtjen e vet, domethënë do të jetë shkencërisht i plotë në qoftë se gjatë studimeve historike do të merret parasysh, në kuadrin e tërësisë, si letërsia arbëreshe e shekullit të kaluar, ashtu edhe letërsia shqipe e Kosovës, me ç’rast do të ndikojnë në periodizimin e saj”.
Koncepti i trajtimit të letërsisë shqipe jo më vetëm si letërsi shtetërore e Shqipërisë po si letërsi shqipe mbarëkombëtare dëshmohet sidomos në historinë e letërsisë shqipe – “Romantizmi” I, II, III, në të cilën letërsia shqipe e Shqipërisë shtetërore, letërsia e krijuar në Kosovë, letërsia e arbëreshëve dhe letërsia shqipe e krijuar kudo tjetër trajtohen si një tërësi, si letërsi shqipe mbarëkombëtare me vazhdimësi të njësuar mbarëkombëtare dhe me njësi gjeografike.
Dhe, e dyta, me shkrimet e tij historiko-letrare Rexhep Qosja, njëkohësisht, e ka liruar shkencën letrare shqipe prej nënshtrimeve ideologjike e politike, në njërën anë, që ishin shkaku i rrëgjimit të letërsisë shqipe gjithëkombëtare në letërsi shqipe të Shqipërisë shtetërore dhe prej folklorizmit, duke e shquar vështrimin teorik dhe estetik të letërsisë dhe duke e modernizuar metodologjinë e studimit të saj. Dhe, kjo shihet sidomos në veprën e tij “Tri mënyra të shkrimit shqip”, botuar në Prishtinë më 2004, por të shkruar rreth njëzet vite më parë.”
Autorja e ka shtrirë gjerë e gjatë kundrimin dhe shqyrtimet vlerësuese të shkrimtarisë së Rexhep Qosjes, duke nxjerrë edhe përmbyllje a përfundime paraprake për gati të gjithë krerët (kapitujt) dhe, natyrisht, në kufijtë nevojisht të kufizuar të një recensioni, nuk mund t’i përmendim të gjitha, por do të citojmë ndonjë nga ato përfundime a pohime vlerësuese që meritojnë të jenë, në mos tjetër, si eshka e ndezur që vinin dikur gjahtarët për të ndjellë dhelprat te shtegu ku kishin vënë hekuraçat (çarqet). “Dhe, ato mjete, sikundër na e thotë vetë autorja, janë: gjuha e veçantë dhe stili i veçantë, humori, ironia, satira, monologu i brendshëm, dialogët kundërshtues apo madje dhe bashkëpajtues ironikisht, paradokset, komentet intelektuale, esetë, tekstet kritike, montazhet e ndryshme, pasazhet e montazheve, ndërtekstet, fjalimet politike origjinale, fragmentet e ligjeve, raportet policore herë më të shkurtra e herë më të gjata, fragmentet e gazetave, skenarët e ndryshëm më të shkurtër a më të gjatë, gjinitë dhe llojet e ndryshme letrare të bashkuara në të njëjtin roman, teknikat pamore dhe dëgjimore të filmit e të tjera.”
Në rrafshin leksiko-stilistik bien në sy sidomos përfshirja e gjerë e leksikut ekspresiv, leksikut emocional, leksikut të vjetruar, vulgarizmave, neologjizmave stilistikë, sidomos i atyre të krijuar nga vetë shkrimtari, që janë vërtet shumë. Analiza e tekstit letrar të shkrimtarit Rexhep Qosja përfshin të gjitha shtresat e leksikut, nga leksiku i vjetruar – fjalë, shprehje dhe ndërtime e deri te krijimet gjuhësore vetjake. Duhet të theksohet posaçërisht se njëra nga veçoritë e shquara të romaneve të tij është shfrytëzimi dhe krijimi i neologjizmave të shumtë. Krijimi i fjalëve të reja mbi bazën e fjalëformimit të shqipes paraqet veçori që është e përshtrirë edhe në gjithë krijimtarinë e tij studimore, publicistike e sidomos letrare. Në këtë drejtim ai ka arritur të pasurojë dhe të freskojë gjuhën shqipe me numër të përfillshëm leksemash, shprehjesh e ndërtimesh të reja sintaksore. Pavarësisht numrit jo të vogël të fjalëve të vjetruara – arkaizma dhe historizma dhe neologjizmave të vetëkrijuara nga shkrimtari, të përfshira në romanet, gjuha e tij nuk ndihet as e vjetruar a e arkaizuar, as thjeshtligjërimore dhe, aq më pak, artificiale. Të parat, fjalët e vjetruara, ngjyrosin historikisht kohën dhe hapësirën, kurse të dytat, neologjizmat stilistikë, shpalosin mundësitë e pakufishme krijuese të shqipes, ndërkaq si të parat, ashtu edhe të dytat i japin vlerë stilistike, ngjyrim të theksuar shprehës e emocional, tekstit letrar artistik të Rexhep Qosjes. Në rrafshin morfo-stilistik, ku përfshihet përdorimi i kategorive morfologjike si dhe vlera e tyre stilistike, shkrimtari ka aktualizuar stilistikisht të gjitha kategoritë gramatikore prej emrit, mbiemrit, foljes, ndajfoljes e deri te fjalët ndihmëse duke shquar përdorimin e tyre në kontekste të shumta, të gjera e të larmishme stilistike. Shquan sidomos përdorimi stilistik i mbiemrave dhe i formave, i kohëve dhe i mënyrave foljore, kurse me theks të veçantë këtu duhet të përmenden metafora gramatikore dhe sinonimia gramatikore. Këto kategori do të vështrohen stilistikisht, përmes figurave gjuhësore e stilistike.
Vëmendje e veçantë këtu i është kushtuar dendurisë së paraqitjes së dukurive të ndryshme në rrafshin sintaksor-stilistik. Është shquar posaçërisht saktësia dhe ngjeshja e tekstit, përmes të cilave zgjerohet ose ngushtohet shprehja gjuhësore duke arritur kështu njëkohësisht saktësinë semantike dhe ngjeshjen sintaksore të shprehjes. Janë vështruar, po kështu, shmangiet stilistike në nivelin gramatikor dhe sintaksor. Megjithatë, vëmendja kryesore i është kushtuar figurave sintaksore me përdorim më të dendur dhe më ekspresiv siç janë figurat shtuese si: grumbullimi, shkallëzimi, epiteti, epifora, dyfishimi; figurat e mungimit si elipsa, retiçenca, pauza; figurat e këmbimit, pyetjet retorike, zhvendosjet, anasjella, paralelizmi.”
Me rëndësi është se në librin e prof. Islamajt del në gjithë gjerësinë e vet ndihmesa dhe synimi i gjithmonshëm i Rexhep Qoses për pasurimin e gjuhës standarde, në radhë të parë duke iu qasur mjeteve të shqipes popullore, pa u bërë buzë qofshin ato edhe krahinore a dialektore, mjaft që të jenë të kuptueshme dhe të kryejnë funksionet e caktuara artistike. I drejtë vlerësimi i saj se “Në të gjitha romanet e Rexhep Qosjes, duke filluar nga romani i tij i parë „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, elementet dialektore janë të përfillshme, kjo nuk na jep të drejtë që autorin ta quajmë shkrimtar dialektor, përkundrazi, sepse përdorimi i idiomave dialektore, përkatësisht i elementeve dialektore në nivele të ndryshme gjuhësore, gjithmonë është motivuar nga qëllime artistike dhe gjithmonë mund të konsiderohen si letrare. Mund të thuhet se edhe shumë elemente morfologjike, leksikore, frazeologjike, deri edhe ndërtime sintaksore, edhe pse në dukje të parë na ngjajnë dialektore, ato më shumë mund t’i konsiderojmë tashmë si elemente gege të integruara në gjuhën standarde, përmes letërsisë, publicistikës, thjeshtligjërimit e të tjera.
Shembull: Tarik Saraçi ishte saraçi i parakohshëm i takëmeve të demokracisë. Fatkeqësisht, gjeli që këndon para kohe përfundon në vegsh më shpejt se ata që nuk këndojnë kurrë. Bijtë II, 337 “ (f.53)
Autorja ka ndjekur me përkushtim edhe fjalëkrijimin si proces gjuhëpasurues e gjuhëpastrues te Rexhep Qosja, përmend fjalëkrijime që kanë “vulën”e tij, si: servilintelektual, qyrkndërrues, qyqarizëm, çerekintelektual, puthadorës, puthakëmbës, skenarizoj, papagallizoj, fejtonizoj, i përtokshëm, gjithkahshikues, kërbaçoj, liriçmuese e shumë e shumë të tjera. Me imtësi ka analizuar procedurat fjalëkrijuese në ligjërimin e R. Qoses, duke qenë se kompozimi përbën “një akt krijimi të një fjale”, ndërsa fjalët e bashkëngjitura formohen në procesin e përdorimit të gjatë dhe mund të kenë edhe më shumë gjymtyrë, disa prej të cilave kanë funksione lidhëse, shprehin marrëdhënie të caktuara sintaktike. Autorja thekson dhe argumenton se “fjalëformimet kompozitore, janë fjalëkrijime të zakonshme, sepse janë krijuar, në të shumtën e herës, përmes gjedheve të zakonshme, të njohura e të mbarëpranuara, si dhe me lidhjen e morfemave me prodhimtari të lartë dhe me numër të madh të temave fjalëformuese – fakt ky që ua krijon edhe gjasat më të mëdha për t’u bërë fjalë të pranueshme, të zakonshme dhe, më në fund, standarde për të hyrë në fjalor; kurse fjalët e përngjitura janë fjalëkrijime jo të zakonshme, në të shumtën e herës të krijuara a të ndërtuara në mospajtim me gjedhet fjalëformuese të shqipes.” Formimet kompozitore dhe ato me përngjitje të Rexhep Qosjes na i kujtojnë formimet prodhimtare të këtij tipi prej Jeronim De Radës: kurmmagjepsur, kryegështenjëzë, meshollëzë, zemërzbrazët, zemërndërkryer, fytyrëbronzët, ballëmvrejtur, buzëmollëmbël, buzëhjeshme, mespurtekë, mejtimturbullt, shtatlangore, gjoksmadh, thundërlodhët, qjellzgjerë, dallgëshumë vështrimkthjellët, ballukepërpushur, kohëvjedhës, lidhsabardhë, e shumë të tjera; të Naim Frashërit: gjëmë-madhi, hark-bukur, këmbë-qetë, kërsinj-thatë, krahror-gjërë, krye-gjatë, lakëmim-madhi, leshra-gjatë, lugë-thatë, llerë-bardhë, mendje-shkurtë, ndjesë-madh, qafë-gjatë, shpirtërrëtë, trimëri-math, vrap-mëdhenj, rrufe-hedhës, rrufe-shtënës, trima-vrasës, harkergjenttë, këmbë-djallë, kokë-rojelle, kordhë-xhveshur, fjalë-venës, gjymës-dele, e shumë të tjera; të Lasgush Poradecit: leshëra-cullufedredhur, dritë-qëruar, qjell-kulluar, zemrë-e mjerë, zemëra-skëtere, gunë-bardhë, zemër-kopsht-me-erë, gas-e-vrer-përherë, kraha-fluturuar, vetull-vetulluar, zemër-lule-e-verë, shtatin-gjarpëruar, vetull-vetulluar, gas-e-vrer-përherë, zemër-kopsht-me-erë, kraha-fluturuar e shumë të tjera; të Fan Nolit: faqe-ndritur, rrufe-shkabë, gojë-mjaltë, zëmër-hekur, Sulltan-llokum, sheqer-kësmet, Salep-Sulltan, lesh-lëshuar, shkabë-zi, krye-profet, duar-lidhur, faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, fushë-kuq, zëmër-krund-e-gërdhu, shpirt-këputur, turp-e-ndot-kundërmonjës, e shumë të tjera e të shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj. Për të dëshmuar ngjashmërinë me krijimtarinë gjuhësore të shkrimtarëve të lartpërmendur janë përzgjedhur një numër formimesh të këtilla kompozitore dhe me përngjitje fjalësh të Rexhep Qosjes, si emra: lulenjerkë, keqpërbërës, metërpeshojë, mikropërgjues, ikërngrënës, dhomandreqës, shtretërndreqës, plangprishës, mesrresht, gjysmëgojë, ardhjeshkuarje, daljehyrje, shkoeardhje, shkuarjeardhje, etj.; mbiemra: qimeshkëlqyes, qyrkndërruar, huqeplotë, frikëndjellës, frikësjellës, kënaqësisjellës, kobsjellës, lajmsjellës, dhuntimadh, mëshirënxitës,, përparaçues, çmimlirë, fletësermtë, fletëvezake, përshtypjelënës gjakkuq, afërkufitar, buzëkufitar, gjithçkashikues, keqtingëllues etj.; ndajfolje: krahëzatetur, symërrolur, syqiellor e të tjera. Janë qëmtuar e përmendur fjalëformimet, të cilat zakonisht i gjejmë në tekste përshkruese për tipizimin e personazheve si: kokëtrekëndësh, kokërrumbullak, kokëgjatë, kryefortë, mendjevogël, mendjekrisur, mendjerrudhur, mendjetrokë, mendjetretur, trufasule, trutapë, sylotuar, syçakërritur, sydepërtues, sylëbyrur, symekur, syshastisur, syshqyer, sypërhumbur, syshkëlqyes, syzgurdulluar, syshtangur, syvrenjtur; fytyrëpërdredhur, fytyrësterrë, fytyrëpikëlluar, fytyrëvuajtur, fytyrëvajosur; faqeplotë, gojëgjerë, buzëmavijosur, buzërrudhur, fulqinjngushtë, fulqinjgjerë, turimprehtë, turizgjatur, hundëvogël, hundëmesatar, mjekërrrallë, veshëçjerrës, flokëdrejtë, duarçlirët, duartrokitës, krahëmbledhur, krahëkërrusur, krahëshpejtë, krahëthyer, gishtërinjgjatë, gishtërinjshkurtër, kockëgjatë, brinjëthyer këmbëbukur, këmbëpërvjelët, këmbëplotë, këmbëngultë, lëkurëthatë, shtatbrishtë, trupmesatar, ballukedrejtë, ballukegjatë, ballukepërpara, ballukedjathtas, ballukepërpjetë, ballukemajtas, flokëpalosur, flokëqethur, frymëkëputur, grushthekur, bishttrashë, fjalëfortë, ndjesiplotë, huqeplotë, këpucëpërlyer, metërpeshojë e të tjera.
Një grup tjetër me interes paraqesin formimet kompozitore me ndajshtesa të kategorive të ndryshme gramatikore, më së shumti mbiemra, e më pak folje e ndajfolje: i tingullkëndshëm, dhembjesjellës, gjysmëhënor, i askundshëm, i mirëdukshëm, i mirërenditur, i shumëçmuar, i shumëfigurshëm, i shumëdhembshëm, shumëdhomësh, shumëfushor, shumëfytyrësh, shumëgjuhësor, i shumëkohshëm, shumëfletës, i shumëndryshëm, i,e shumëpaguar, i shumëstilshëm, mezidëgjueshëm, i mezidukshëm, i mezipritshëm, (i/e) mezipritur (i/e) mezivërejtur, mbamendës, mirëfilltësor, vetëposhtërues, vetëpyes, vetëzbuloj, vetëshpall e shumë të tjera. Ka edhe shumë dukuri e prurje të tjera që mund të rreshtoheshin në vijim, por përmasat nevojisht të kursyera të një artikulli kryesisht paraqitës dhe, gjithsesi joshterues, na bëjnë ta përfundojmë këtë shkrim.
Dhe, krejt së mbrami, edhe ndonjë vërejtje. Me stilin e E. Çabejt, i cili, kurrë nuk na thoshte ”këtë bëje kështu, apo ashtu”, por, ”po të isha unë…”, po lejohem t’i them prof. Shefkijes miqësisht:
1.Po të isha unë, titullin e librit do ta kisha shkurtuar, duke lënë jashtë cilësimet ”moderniste e postmoderniste”. Pra, titulli po të isha unë do të ishte kështu: Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare të Rexhep Qosjes. Kjo sepse, së paku sipas mendimit tim modest, Rexhep Qosja është ai që është, jo pse është “shkrimtar modernist e postmodernist”, por sepse ai është i veçantë dhe veçantia e tij nuk është mirëfilli e lidhur me të qenët “modernist “ apo “postmodernist”. Ai është ashtu, sepse është Rexhep Qosja. Në fakt, këtë e ka pohuar edhe vetë prof. Islamaj, që në fillim të librit ku thotë: “ Shkrimtari Rexhep Qosja shkruan romane që nuk i gjen në letërsinë shqipe, trajton tema të pa trajtuara në letërsinë shqipe, tema që e intrigojnë, që e shqetësojnë dhe që e provokojnë thellë lexuesin dhe, pa dyshim, që kanë rëndësi dhe kuptim për njeriun shqiptar dhe për njeriun në përgjithësi. Shkruan ashtu siç do të thoshte Çehovi: që fjalët të ndihen ngushtë, kurse mendimet gjerë.” (f. 30)
- Po të isha unë, para se ta dorëzoja në shtyp, do t’ia kisha bërë një “krasitje”, duke i mënjanuar disa rimarrje, qoftë edhe pse në vetvete të drejta, por që shkojnë përtej analizave mirëfilli gjuhësore e stilistikore për ligjërimin e veprave të R.Qoses; si dhe do të kisha synuar të shkarkoheshin të gjithë kapitujt nga tepria e vlerësimeve mirëfilli letrare për shkrimtarin, duke mbetur vetëm ato pjesë që janë terësisht apo kryesisht punë gjuhe e stilistike gjuhësore.
Lexues të nderuar, merreni këtë libër të prof.Shefkije Islamajt, lexojeni me nge dhe rilexojeni herë pas here me qetësi. Do të njihni më mirë se çfarë përfaqëson vepra madhore (dhe pak të thuash madhështore) e akademikut Rexhep Qosja, po edhe se sa mirë është për kulturën shqiptare e sidomos për gjuhësinë tonë, që kemi edhe filologe të nivelit e të profilit të tillë, kaq të lartë, si profesore Shefkije Islamaj, e cila, ashtu si me librat dhe monografitë e mëparshme, edhe në këtë studim kaq të gjerë e po ashtu edhe nga më të vështirët, ka treguar se nuk ka qëndruar pa meritë as në zyrën si punonjëse shkencore e Institutit Albanologjik, as në angazhimet e saj si studiuese e si anëtare e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, si shkrimtare, si veprimtare shoqërore dhe si një nga gratë më të dalluara të letrave shqipe në Kosovë e në krejt hapësirat tona.
Jetë të gjatë, Profesor, shëndet e vepra të tjera kësodore./ DITA