Akti Normativ i qeverisë për të kompensuar ndërtuesit e mëdhenj për rritjen e çmimeve ka shkaktuar debat të fortë në Komisionin e Çështjeve Sociale në Kuvendin e Shqipërisë. Zv/ ministri i Infrastrukturës, Ilir Bejtja tha se do të përfitojnë 300 kontrata dhe efekti llogaritet deri në 6 miliardë lekë.
“Efektet financiare janë rreth 6 mld lekë. Janë mbi 300 kontrata që përfitojnë. Do të mbështeten edhe bashkitë me transfertë të pakushtëzuar nëse nuk mund ta përballojnë” tha ai.
Kryetarja e komisionit Grida Duma kërkoi që prioritet të jenë qytetarët dhe jo oligarkët. “Kompanitë e mëdha që nuk kanë halle të mëdha, por dhjamë, disa të hetuar dhe disa të lidhura me pushtetin tuaj dhe lënia në harresë për qytetarët.
400 milionë euro nga rritja e çmimeve ia kanë dhënë këtij shteti dhe jo 30 mijë lekëshi mizerabël të pensionistëve. Paketa e parë të shkojë te qytetarët dhe më pas e dyta te oligarkët.
Akti normativ rrezikon që të jetë klientelist, pasi rrezikon t’u japë para ca të pasurve dhe jo të ndikojë te rritja e pagave të punëtorët” tha deputetja demokrate.
“Komunikimi juaj është ofensiv, ke logjikë absurde të nivelit ekonomik. Mos ta nxjerrim komisionin nga shinat” iu përgjigj deputeti socialist Ilir Metaj, ndërsa Anila Denaj e siguroi Dumën. “Ju nuk e pengoni dot, ne do ta kalojmë”.