Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar për dialogun ku është shprehur se e domosdoshme është edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka bërë të ditur Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”.
Ndërsa, ka shtuar se ka shprehur falënderime ndaj tij për angazhimin e tij në BE.
“Gjithashtu z.Lajčak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”.
Lajçak, gjatë ditës pritet të takohet edhe me liderët e tjerë opozitarë.
Lajçak me të ateruar në Kosovë, të hënën e 27 qershorit ishte takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin kishte vetëm komunikata të lëshuar në rrjetet sociale.
“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Lajçak.
Sllovaku s’ka lënë pa përmendur se e ka uruar fort Kurtin për marrëveshjen e arritur javën e kaluar për çështjen e Energjisë Elektrike në veri.
Lajçak megjithatë s’ka përmendur vizat, regjim që nuk u hoq për kosovarët as në Samitin e Bashkimit Evropian, përkundër se u rikonfirmua se kushtet teknike janë plotësuar.
Top-diplomati sllovak pos takimeve me opozitar ka të planifikuara vizita edhe në Veri të vendit e në qytetin e Prizrenit.