Instituti i Statistikave (INSTAT), ka publikuar shifrat zyrtare për Lëvizjen e Shtetasve në pesë muajt e parë të këtij viti, të cilat tregojnë se hyrjet në vendin tonë ishin 3.45 milionë shtetas apo rreth 2 për qind më pak sesa shifra e regjistruar në janar-maj 2019.
Këto shifra paraqesin një vit të mirë turistik për Shqipërinë duke pasur parasysh se vendi po i afrohet shifrave të viteve para pandemisë.
Kështu nga janari në maj në vend kanë hyrë mbi 1.6 milionë shtetas të huaj apo 12 % më shumë sesa shifra e regjistruar për të njëjtën periudhë në vitin 2019.
“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin maj 2022, janë 1 milion e 74 mijë e 828. Krahasuar me majin e vitit të kaluar 2021, ky tregues rezulton me një rritje 77.5%. Në maj 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604 mijë e 430. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, ky numër është rritur me 83.9%”, shkruhet në publikimin e INSTAT.
Hyrjet e shtetasve
Sipas publikimit të shifrave të INSTAT-it, gjatë pesëmujorit të parë të këtij vitit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5,6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 9,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
“Turizmi patriotik që ka qenë dominant në dy vitet e pandemisë duket se u tkurr disi në muajt e parë të këtij viti, por maji duket se ka bërë edhe kthesën duke u rritur me 70 për qind në maj 2022 në raport me maj 2021”, vijon më tej INSTAT në raportin e tij.
Daljet e shtetasve
Për sa i përket numrit të daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, sipas INSTAT-it, gjatë muajit maj është 1 milionë e 121 mijë e 298 duke shënuar një rritje me 72.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa numri i shqiptarëve që kanë dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit maj, është 517 mijë e 692, 50.3% më shumë se majin e kaluar.
![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2022/06/t1-1.jpg)
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit maj 2022, janë 603 janë 606.
“Krahasuar me muajin maj 2021, ky numër është rritur me 2 herë”, shkruan INTAT.
“Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë të 2022, është 2 milionë e 20 mijë e 676, ose 51,8% më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.