Shkodra u trondit mbrëmjen e djeshme nga një pako eksploziv që u gjet poshtë makinës së Drejtoreshës së operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, Suida Kuka.
Fatmirësisht eksplozivi nuk shpërtheu, pasi u pikas në kohë, u njoftua policia dhe forcat xheniere që kryen shpërthimin e kontrolluar. Kur kanë kaluar më shumë se 12 orë ende nuk ka asnjë të arrestuar.
Policia mori dëshminë e drejtoreshës, e cila deklaroi se nuk ka konflikte. “5pyetjet.al” e kontaktoi drejtoreshën për të mësuar më shumë. “Nuk kam marrë asnjë kërcënim dhe nuk kam asnjë indicie” tha më tej ajo lidhur me ngjarjen.
Por a mendon se kjo mund të jetë një paralajmërim për shkak të detyrës? “Nuk mendoj” tha Kuka. E pyetur nëse ndihet e frikësuar dhe nëse e ka menduar largimin nga detyra, drejtoresha Suida Kuka ishte e qartë dhe e prerë.
“Nuk ndihem e frikësuar dhe nuk largohem nga detyra” u shpreh ajo për “5pyetjet.al”. Në muaj e fundit Shkodra është tronditur disa herë nga ngjarjet kriminale, vrasje, eksploziv, grabitje me dhunë, etj duke rikthyer frikën dhe territorin në qytet.