Të mbledhur në takimin e nivelit të lartë në Madrid të Spanjës, udhëheqësit e NATO-s miratuan konceptin e ri strategjik të aleancës, ku Rusia shpallet rreziku numër një për aleancën dhe u zotuan të rrisin mbështetjen për Ukrainën. Ndërsa aleanca miratoi gjithashtu kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep takimi i NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e anijeve të reja luftarake në Spanjë, si dhe avionë F-35 në Britani.
Udhëheqësit e NATO-s miratuan sot konceptin e ri strategjik të aleancës, dokument që hartohet një herë në dhjetë vjet. Strategjia më e fundit e NATO-s e vitit 2010 e përcaktonte Rusinë një “partnere strategjike”. Tashmë, aleanca e konsideron Moskën një rrezik parësor.
“Sot, udhëheqësit e NATO-s morën vendimin historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë për t’u bërë vende anëtare të NATO-s… Udhëheqësit miratuan konceptin e ri strategjik të NATO-s që po publikohet në këto momente. Ky është një koncept i ri strategjik… E bën të qartë se Rusia përbën rrezikun më domethënës dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Denoncimi i veprimeve të Rusisë nuk erdhi papritur. Shefi i aleancës ishte shprehur paraprakisht se lufta e Rusisë në Ukrainë kishte krijuar krizën më të madhe të sigurisë për Evropën, që nga Lufta e Dytë Botërore.
E krijuar rreth 70 vite më parë për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik, NATO mbajti takimin e saj në Madrid në një botë të transformuar nga sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj, Ukrainës, që shtyu Suedinë dhe Finlandën të dëshirojnë sigurinë që ofron anëtarësimi në NATO. Ndërsa aleanca miratoi dërgimin e ftesës zyrtare për anëtarësimin e tyre, zoti Stoltenberg u shpreh se lufta solli “ndryshimin më të madh të mbrojtjes tonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Strategjia e re shpalos përqasjen e NATO-s edhe për çështje si siguria kibernetike, ndryshimi klimatik, apo rritja e ndikimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës.
Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep NATO.
“Në këtë takim, aleanca mirëpret Finlandën dhe Suedinë. Aplikimi historik për anëtarësim, si dhe vendimi i tyre për ta lënë traditën e neutralitetit dhe për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s, do të na bëjë më të fortë dhe më të sigurtë. Po dërgojmë një mesazh të pagabueshëm se NATO është e fortë, e bashkuar, dhe se hapat që do të ndërmarrim në këtë takim do të rrisin më tej fuqinë tonë të përbashkët”, tha Presidenti Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e dy destrojerëve të tjerë në bazën Rota në Spanjë, si dhe të dy skuadriljeve të reja me avionë F35 në Britani.
Kryeministri britanik Boris Johnson e përshkroi takimin e NATO-s si një takim historik.
“Mendoj se mësimi i parë nga sot është se nëse Vladimir Putini po shpresonte se do të kishte prani më të vogël të NATO-s në frontin e tij perëndimor, si rezultat i sulmit të tij të paprovokuar dhe të paligjshëm në Ukrainë, ai ka rezultuar plotësisht i gabuar. Ai po merr në këmbim më shumë NATO. Ky është një takim historik në shumë mënyra; kemi tashmë dy vende të reja që po anëtarësohen, Finlandën dhe Suedinë. Një hap i jashtëzakonshëm përpara për aleancën tonë”, tha zoti Johnson.
Alenaca do të dërgojë ftesa zyrtare për anëtarësim për këto dy vende dhe vendimi për anëtarësimin e tyre do të duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare.
Sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj ka lëkundur paqen në Evropë dhe e ka shtyrë NATO-n të dislokojë forca dhe armatime në Evropën Lindore në përmasa të papara që nga Lufta e Ftohtë. Vendet anëtare kanë dërguar gjithashtu miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe civile në Ukrainë./VOA