Ti punon shumë, bën më të mirën dhe në fund, ndihesh sikur nuk po vlerësohesh mjaftueshëm? Gjëja e parë që të vjen në mendje është të kërkosh rritje page (dhe me të drejtë), por nuk di se si? E kemi parasysh situatën, ndaj të sjellim disa këshilla:
1. Mblidh përshtypjet më të mira të eprorëve dhe kolegëve
Kur eprorët, kolegët dhe klientët janë të kënaqur me performancën tënde, të komplimentojnë. Ç’bën ti? I mbledh këto përshtypje, sepse janë një faktor i rëndësishëm në rritjen e pagës.
2. Paraqit shifra
Bëhu sa më specifik/e dhe paraqit shifra dhe të dhëna. Cilat janë fitimet e kompanisë falë punës tënde? Në fund të ditës, shefit/es, numrat i interesojnë.
3. Bëj një përmbledhje se cili është kontributi yt në ekip
Cilësitë e tua pozitive dhe dëshira për të punuar, janë gjithmonë një bonus i madh.
4. Zgjidh momentin dhe vendin e duhur
Me momentin e duhur duam të themi: Kur ke mbaruar një projekt me sukses dhe kompania është shumë e kënaqur.
Me vendin e duhur, nënkuptojmë: Në zyrën e shefit/es, jo në kafe dhe ambiente të tjera.
5. Bëj një kërkim mbi trendin e pagave në profesionin tënd
Kërko, pyet, informohu dhe më pas, fol me eprorët.
6. Përgatitu për atë që do të thuash
Shkruaje më parë diku, regjistro veten që të mos kesh emocione dhe kur të jesh gati, lër një takim.
7. Shpreh mirënjohje
Gjithmonë falendero kolegët dhe eprorët për mundësitë që të kanë ofruar.
Çfarë të shmangësh kur kërkon rritje page?
1. Mos paraqit argumente personale
Nëse të është rritur qiraja, apo ke shpenzime të tjera, nuk është aspak problemi i shefit/es, ndaj kurrsesi mos e përmend.
2. Mos e krahaso pagën tënde me kolegët
Kjo të bën të dukesh si një person ziliqar.
3. Mos e kërko rritjen e pagës në një moment të vështirë për kompaninë
Në një situatë sfiduese, solidarizohu.