Kancelari gjerman Olaf Scholz përshëndeti vendimin e Kanadasë për t’i dorëzuar Gjermanisë një turbinë për gazsjellësin Nord Stream.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta gjermane “Bild”.
“Ne mirëpresim vendimin e miqve dhe aleatëve tanë kanadezë”, u shpreh kancelari Olaf Scholz.
Qeveria kanadeze theksoi më parë se do të bënte një përjashtim nga sanksionet kundër Rusisë dhe do ta dërgonte turbinën, e cila iu nënshtrua mirëmbajtjes në Kanada, përsëri në Gjermani.
Turbina, e ndërtuar në Kanada nga Siemens, u dërgua në Montreal për riparim dhe “ngeci” atje.
Kjo, për shkak të sanksioneve kundër industrisë së naftës dhe gazit të Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
Zyrtarët gjermanë i kërkuan Kanadasë që të gjente një mënyrë për të kthyer turbinën, nga frika se Rusia do ta përdorte këtë çështje si një justifikim për të mbyllur Nord Stream 1 dhe për të dëmtuar aftësinë e Gjermanisë për të mbushur rezervuarët e saj të depozitimit të gazit përpara dimrit.
Qeveria ukrainase kundërshtoi synimin e Kanadasë për të rënë dakord për një heqje të tillë pikë për pikë të kufizimeve të sanksioneve nga Rusia dhe e konsideron këtë vendim “të pabazuar dhe të rrezikshëm për regjimin e sanksioneve”.
Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly këmbënguli të shtunën se Kanadaja mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ajo njoftoi sanksione të reja kundër sektorit energjetik të Rusisë.