Në muajin maj, kur Washington-i urdhëroi 1 mijë e 300 raketa “Stinger” për të zëvendësuar ato të dërguara në Ukrainë, shefi ekzekutiv i kompanisë prodhuese, Raytheon u përgjigj se kjo “do të marrë pak kohë”.
Ndërkohë, Parisi dërgoi 18 obusa “Cezar” në Kiev.
Kjo është një e katërta e totalit të stoqeve të artilerisë së teknologjisë së lartë në Francë.
Dhe “Nexter” pranoi se do të duheshin rreth 18 muaj për të prodhuar të reja.
Lufta ruse kundër Ukrainës ka ekspozuar koprracinë e rezervave të mbrojtjes perëndimore.
Kështu shkruan botimi londinez “Financial Times”.
Kjo, veçanërisht kur bëhet fjalë për artikuj të tillë kritikë si predha artilerie, të cilat po përdoren masivisht në luftime.
Mungesa e kapaciteteve prodhuese dhe e burimeve njerëzore si dhe zinxhirët e ndërlikuar të furnizimit, veçanërisht çipat kompjuterikë, nënkuptojnë se rimbushja e depove kërkon një kohë të gjatë, sipas FT-së.
Zyrtarët e mbrojtjes dhe analistët thonë se deficiti ekspozon besimin e tepërt perëndimor rreth kërcënimeve të mundshme pas Luftës së Ftohtë.
Tani lufta në Ukrainë e ka shpërndarë atë. Moda për armët e teknologjisë së lartë ka lënë në hije rëndësinë e mbajtjes së një rezerve artikujsh bazë.
Financial Times shkruan se deficiti mund të minojë aftësinë e Perëndimit për të mbështetur përpjekjet luftarake të Kiev-it.
Për shembull, prodhimi vjetor i predhave të artilerisë 155 milimetra në Shtetet e Bashkuara është i mjaftueshëm që Ukraina të luftojë për më pak se dy javë, tha eksperti amerikan i prokurimeve Alex Vershinin.
Sipas tij, lufta ruse kundër Ukrainës shënoi rikthimin e luftës industriale.
Askush nuk beson se Perëndimit do t’i mbarojnë armët bazë për të siguruar Ukrainën.
Zyrtarët thonë se pajisjet e ofruara për ushtrinë ukrainase janë ende të disponueshme ose mund të zëvendësohen me sisteme të ngjashme.
Buxheti i mbrojtjes i Rusisë vitin e kaluar ishte 66 miliardë dollarë.
Edhe me shpenzimet ushtarake të Kinës prej 293 miliardë dollarësh, kjo nuk është asgjë në krahasim me buxhetin total të NATO-s prej 1.1 trilion dollarësh.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre shpenzimeve shkon për sisteme të avancuara si avionët luftarakë.
Ukraina nuk ka marrë armë të tilla gjatë luftës aktuale me Rusinë.
Gjatë 20 viteve të fundit, mbrojtja perëndimore ka qenë e fokusuar në luftimin e militantëve në Lindjen e Mesme.
Askush nuk u përgatit për beteja me tanke apo artileri si ato që po zhvillohen në Ukrainë









