Futbollisti i Club Brugge, Charles De Ketelaere, është një nga objektivat kryesorë të kësaj vere për klubin e Milan-it.
Interesim për talentin belg kanë shprehur edhe disa klube tjera evropiane, ku Leeds United ka bërë ofertën më të kënaqshme për kampionët e Belgjikës.
Anglezët kanë ofruar mbi 30 milionë euro për shërbimet e talentit belg, por ky i fundit preferon më shumë transferimin te kampionët e Italisë.
Sipas asaj që flitej në mediat italiane, Milan-i nuk ofroi më shumë se 20 milionë euro për De Ketelaere, ofertë kjo që u refuzua menjëherë nga Club Brugge.
Megjithatë, kuqezinjtë tani po përgatisin ofertën e radhës për ta rrëmbyer 21-vjeçarin.
Mediat në Itali shkruajnë se Milan-i do të ofrojë 25 milionë euro plus bonuse drejt skuadrës belge, plus tre futbollistë të rinj të akademisë kuqezi: Jungdal, Coubis dhe Roback.
Vlen të ceket se drejtuesit kuqezi tashmë kanë rënë dakord me kushtet e kontratës me De Ketelaere për një kontratë deri në vitin 2027 dhe një pagë prej 2.5 milionë euro në sezon plus bonuse.
Kujtojmë që mesfushori belg pati një sezon të shkëlqyer me Club Brugge. Ai shënoi 18 gola dhe dhuroi 10 asistime në 49 ndeshje në të gjitha garat.