Për herë të dytë brenda pak ditëve, deputeti Erion Braçe thirri në interpelancë ministren e Bujqësisë Frida Krifca për gjendjen e sektorit dhe kontratat e qirasë së tokave.
Ish-zv/kryeministri e nisi fjalën duke thënë se ka mërzitur kolegët socialistë të partisë që kritikat e tij i kanë cilësuar populiste.
“Kam bërë populistin këtë kohë, kam mërzitur edhe Netën (Antoneta Dhima) edhe Pandin (Pandeli Majko)”. Më pas Braçe kaloi te problemet e bujqësisë.
“Tani do të bëhem realist. U rrit qiraja e tokës, plugimi, fara, prej TVSH-së me 10%, kostoja e vaditjes, e plehërimit dhe si mirëqenie u rritën të gjitha, e plasmasit, tubave të hekurit, etj”.
Foli me fakte konkrete. “Po çmimet? Janë rritur? Nuk është normale, por e jashtëzakonshme, jo te bujku, por te tregtari.
Paratë e bujkut i merr grumbulluesi. Kjo është bujqësia që po vjen. Tregtari me 2-3 herë më shumë se bujku”.
Nuk e kurseu edhe ironinë. “Kostoja e ushqimit të kafshëve është rritur, lopët kundër elitës që i numëron, i matrikullon, i subvencionin, i numëron prap, ato janë rritur, janë vetëm pa shoqet, hanë më shumë dhe shtrenjtë, tani kanë edhe status, lopët janë shtuar me frymë, po çmimet janë rritur, te bujku jot, te tregtari”.
Ministrja tha se ishte e habitur nga fjalët e Braçes. “Është pak e vështirë që të flas për kontratat për të cilën është thirrur interpelanca pas prezantimit që bëri deputeti që nuk di nga ta kap.
Menaxhimi i mirë i tokës bujqësore mund të bëhet sa më mirë përmes inventarizimit. Informacioni nuk përputhet me realitetin. Ka sipërfaqe toke që me letra janë të lira, por në realitet i ka zënë privati.
Kam ngritur 24 grupe për verifikim. Procesi deri tani ka përfunduar në 7 qarqe dhe po vazhdon. Brenda vjeshtës do të bëjmë publike një platformë të re për parcelat që janë në administrim për t’u dhënë me qira.
Aktualisht janë 52 kontrata qiramarrje, 3 prej tyre do të zgjidhen dhe janë në proces gjyqësor prej 2019”.