Ballkani Perëndimor po kthehet dalëngadalë në rrugën më të përdorur për kalimin ilegal të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku raportimet e fundit nga Agjencia për Mbrojtjen e Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (FONTEX), tregojnë shifra të trefishuara sa i përket rajonit në këtë gjysëm viti.
Sipas përllogaritjeve paraprake, ka pasur rreth 114 mijë e 720 hyrje të parregullta në Bashkimin Evropian. Kjo është rreth 84% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e ndjeshme u regjistrua në rrugët e Ballkanit Perëndimor, ku numri u rrit gati 3-fish krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2021.
Kjo rritje mund t’i atribuohet tentativave të kalimit nga emigrantët tashmë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor.
Në qershor, Frontex regjistroi 23 mijë e 290 kalime të parregullta në BE, 59% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për momentin, agjencia ka më shumë se 2 mijë e 200 oficerë dhe staf të trupave të përhershme në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të BE-së, si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi.
Në itinerarin e Mesdheut Qendror, Frontex regjistroi 25 mijë e 164 kalime të parregullta kufitare, 23% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.
Vetëm në muajin qershor, në këtë rrugë janë shënuar 5 mijë e 651 kalime të paligjshme, në përputhje me vitin e kaluar.
Rruga e Ballkanit Perëndimor përbën gjysmën e të gjitha zbulimeve me 55 mijë e 321 kalime të paligjshme, gati trefishi i totalit nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Kombësitë kryesore në këtë rrugë përfshinin emigrantë nga Siria, Afganistani dhe Turqia.
Pavarësisht shifrave të larta, njerëzit që ikin nga Ukraina dhe hyjnë në BE përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të zbuluara.
Sipas të dhënave të fundit të Frontex, 7.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në BE që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 6.3 milionë ukrainas.