Situata vazhdon të jetë tejet problematike me vatrën e zjarrit në dalje të qytetit të Lezhës.
Për situatën e krijuara ka reaguar dhe prefekti i qytetit, Gjergj Prendi. Ai është shprehur se kanë për të gjitha përpjekjet për ta vënë në kontroll situatën dhe se deri më tani nuk ka banesa apo dëme në njerëz.
Ai ka shtuar se situata është vështirësuar më tepër, pasi ka pasur shpërthim municionesh.
“Situata është dramatike, por me gjithë masat që kemi marrë me bashkinë Lezhës, emergjencat civile është në përmirësim. Dje pasdite ka pasur intensitet të flakëve të ndikuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta. S’kemi pasur djegie të banesave apo lëndime në njerëz. Ka pasur shpërthime të municioneve të ndryshme, që janë vendosur nga banorë të zonës. Në operacion janë 5 zjarrfikëse, janë ndarë në dy grupe. Dy vatra që rrezikonin banesat u vendos në kontroll, situata është optimiste.
Patjetër që vatrat e zjarrit janë të qëllimshme, kemi 3 ditë në zonën Roshit në Mirditë, po luftohet me zjarrfikëse dhe atje rezultatet janë pozitive. Ndërsa këtu kemi 4 vatra zjarri. Po e përballojmë me vështirësi por me sukses. Ndërhyrja nga ajri nuk ka qenë e nevojshme. Pavarësisht përkeqësimit të orëve të fundit, situata ka qenë në kontroll,”- tha ai.