Vatra e zjarrit në fshatin Piraj të Lezhës është arritur të vihet nën kontroll dhe të shuhet plotësisht rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm. Megjithatë dëmet e shkaktuara nga flakët janë tepër të konsiderueshme.
Flakët kanë shkrumbuar linjën hekurudhore me një gjatësi prej 1 km, si dhe sipërfaqe të mëdha me pemëtari dhe vreshtari, ndërsa është arritur të shpëtohet kisha e fshatit dhe varrezat pa shkaktuar dëme të shumta.
Për neutralizimin e flakëve u angazhuan disa zjarrfikëse të ardhura dhe nga bashkitë fqinje.
Gjithashtu janë shuar dhe vatrat e zjarrit në masivin pyjor në dalje të qytetit të Lezhës dhe përgjatë superstradës Lezhë-Milot.
Aktualisht vatër aktive mbetet vetëm zjarri në pyjet e Oroshit, i cili është aktiv prej disa ditësh.
Ditën e sotme është kërkuar ndihma e ushtrisë, ku 50 forca pritet te mbërrijnë në terren për të ndihmuar në shuarjen dhe të kësaj vatre.