Lufta nuk ka përfunduar ende, megjithatë, Twitter ka fituar “betejën” e parë ligjore me Elon Musk në përpjekjen për ta detyruar këtë të fundit të përfundojë sa më shpejt blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kompanisë. Gjykata vendosi që gjyqi të zhvillohet në tetor.
Ekspertët ligjorë thanë se vendimi ishte një lajm i mirë për Twitter, i cili kishte kërkuar një proces të shpejtë për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Gjykata pranoi argumentin e kompanisë se një vonesë do të shkaktonte dëme të rënda në biznes.
Një avokat që përfaqëson Twitter-in në seancën virtuale akuzoi Musk për “tentativë sabotimi”. “Ai po bën çmos për të shkatërruar Twitter-in”, tha avokati William Savitt.
Avokati i Musk, Andrew Rossman, tha se akuza se Musk po përpiqej të dëmtonte biznesin ishte “marrëzi”. “Ai nuk ka asnjë interes të dëmtojë kompaninë”, tha Rossman, duke vënë në dukje se shefi i Tesla-s është aksioneri i dytë më i madh i Twitter.
Më 8 korrik, Elon Musk tha se po tërhiqej nga marrëveshja për tre arsye të përgjithshme: Twitter kishte shkelur marrëveshjen duke dështuar të jepte informacion të mjaftueshëm për llogaritë spam në platformë; se kishte keqinterpretuar numrin e llogarive spam; dhe se kishte shkelur marrëveshjen duke mos u konsultuar me të kur kishte pushuar së fundmi punonjësit.
Nga ana tjetër, Twitter argumenton se njeriu më i pasur në botë nuk ka asnjë provë që llogaritë spam janë më shumë se 5% e llogarive aktive të përditshme dhe se shkarkimi i punonjësve ishte pjesë e rrjedhës normale të drejtimit të biznesit.
Ekspertët thonë se të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjen për të kursyer kohë dhe energji, në të kundërt mund të dëmtohen si Twitter si Elon Musk. Mosmarrëveshja mund të dëmtojë reputacionin e palëve dhe të bëjë që vlera e aksioneve të kompanive të ulet.