Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një 38-vjeçar për shkak të përdorimit të armës së zjarrit në një festë familjare në Gjilan.
Në njoftim thuhet se, të martën policia ka marrë informacion se në një lagje të Gjilanit janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
“Patrulla policore ka arritur që të lokalizoj vendin e ngjarjes, ka takuar të dyshuarin Shqiptar Kosovar R.A. (1984)”, thuhet në komunikatën për media.
Në vend të ngjarjes bëhet e ditur se ka dal edhe njësiti i krim teknikes dhe janë gjetur prova të mjaftueshme materiale se i dyshuari gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri.
“Arma e llojit ‘CANIK’, prodhim Turk cal 9×19 mm së bashku me 14 gëzhoja të armës përkatëse janë konfiskuar si dëshmi materiale për Gjykatë”, thuhet tutje.
I dyshuari pas shoqërimit në Stacion Policor është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa rasti të procedohet së bashku me provat në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan vazhdon me kampanjën vetëdijëdijësuese duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të festojnë me zemër, jo me armë. Sa më pak armë, më pak viktima”, përfundon njoftimi.