Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është shprehur se ditën e nesërme ne Parlament do të paraqitet rezoluta kundër raportit të Dick Martyn, një raport në të cilin pretendohet se UÇK ka kryer krime. Balla ka thënë se Partia Socialiste e ka iniciuar atë mbi bazën e parimit se gjithçka duhet të hetohet.
“Ne propozuesit iniciojmë këtë rezolutë mbi bazën e parimit se gjithçka duhet të hetohet. Kemi të bëjmë me një rast kur janë kryer verifikimet përkatëse dhe jemi në kushtet që të institucionalizojmë faktet dhe pas këtij momenti të iniciohet një raport dhe një rezolutë e re, rishikimi i atyre pretendimeve që sot nuk ekzistojnë më. Është në nderin e çdo anëtari që nesër të jetë në sallën e Kuvendit. Nesër duhet të jetë një moment solemn ku rëndësia që ka heqja e një balte të pamerituar të hedhur padrejtësisht kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës. Nesër do të njiheni me të gjitha qëndrimet tona për luftën në Kosovë” tha ai.
Balla ka thënë se objektivi i radhës është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. “Ne me deputetët e Kuvendit të Kosovës jemi në kontakt të përditshëm. Kjo legjislaturë do të mbahet mend si bashkëpunimi me deputetët e Kosovës ka arritur nivelin më të mirë të mundshëm në shumë vite. Ne kemi gati një dokument të rëndësishëm të një memorandumi partneriteti. Në Nëntor të këtij viti, do të kemi një seancë plenare të funksion të 2 institucioneve tona. Bashkëpunimi me Parlamentin e Kosovës është i shkëlqyer. Objektivi ynë i radhës është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Jemi në fazën e mbërritjes së konsensusit”.
Më pas ai u ndal te procesi i integrimit. Balla tha se synohet që procesi të kryhet në bashkëpunim me opozitën shqiptare pasi ky është një proces ku gjithë-përfshirja është thelbësore. “Kërkon përgjegjësi nga ana e çdo deputeti. Ky proces përfundimtar duhet të përfundojnë me një përafrim të plotë të legjislacionit shqiptar, mendoj që roli i Kuvendit është thelbësor. Gjithçka ne synojmë ta kryejmë në bashkëpunim me opozitën shqiptare pasi ky është një proces ku gjithë-përfshirja është thelbësore. Konferenca e parë ndërqeveritare ka definicion të qartë.
Qeveria shqiptare dhe kolegji i komisionerëve. Do kemi mundësi të tjera ku do të jemi bashkë mazhorancë dhe opozitë në Parlamentin Evropian dhe në këtë kontekst nuk i heq asnjë pikë dhe asnjë presje nevojës që e ka shprehur edhe kryeministri në fjalën e tij ku tha se duhet të kishim edhe opozitën. Flas për atë opozitë të përgjegjshme nuk flas për një element të caktuar të opozitës që i ka shpallur luftë aleatëve të Shqipërisë. Në këtë kuptim ftesa është e sinqertë. E bëri kryeministri sot në atë moment solemn. Ajo është një fitore e gjithë shqiptarëve” tha ai.