Deputeti i PD-së, Agron Shehaj thirri në interpelancë sot në Kuvend ministren Mirela Kumbaro dhe akuzoi sekretarin e përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri se përmes tij po përfiton kushëriri i parë që po sipas demokratit po ndërton resort turistik në një zonë që më parë ishte e mbrojtur në Jug.
Shehaj tha se VKM-ja mori vendimin për të zvogëluar parkun e Butrintit, duke hequr një pjesë të zonës së mbrojtur për të bërë investitor strategjik kushërinjtë e ministrit Gjiknuri.
“Kaluam nga ligjet me porosi për oligarkët te ligjet me porosi për ministrat. VKM e parë që bëri kunatën e Xhaçkës investitore strategjike. VKM tjetër dhe vendimi tjetër që shpall një investitor strategjik dhe pastaj i heq pronën nga zona e mbrojtur. Kaluam nga ligjet me porosi për ortakët te ligjet me porosi për ministrat. Evolucioni ka qenë pak më ndryshe, ju e filluat me PPP-të dhe për ato ju keni dhënë koncesione pa fund.
Me rastin e Gjiknurit u vërtetua kalimi nga PPP në privat-privat, partneriteti bëhet direkt Albstar direkt partneritet me kushërinjtë e Gjiknurit. Vetëm mua më duket e çuditshme, si ish-ministri i Infrastrukturës kur është ministër jep miliona euro për Albstar dhe pastaj bën ortak kushërinjtë e vet me Albstar që i ka dhënë qindra miliona euro.
Kaq normale është bërë. Si të bëhet ortak hajduti me rojën. Për këtë tender akoma nuk janë marrë paratë, kjo kompani është ortake me të afërmit e Gjiknurit. Kjo është cështja. Ky është një shtet i kapur, të gjithë në shërbim të ministrave që po pasurohen me lejen e Ramës. Manastir Resort e ka marrë kushëriri i Gjiknurit” tha Shehaj.
Damian Gjiknuri u ngrit në foltore për të replikuar dhe i kujtoi gjyqin. Socialisti u shpreh se e ka paditur për shpifje dhe se investitorin nuk e ka kushëri të parë sikur pretendon Shehaj.
“Ku zotëria, idiot i dobishëm të më kërkonte mua llogari jo ministren. Ministrja i bëri dhe i bën shpjegimet më mirë se unë. Ti ke një hall tjetër, për këto budallaqet që thua, për kushërinjtë e mi që janë biznesmenë nga 1991 je në gjykatën e Tiranës dhe pardje ke marrë një njoftim se nuk ke paraqitur prova.
Nuk ka ne qenë në gjendje të paraqesësh prova. E para ai nuk është djali i xhaxhait tim. Ti para ke, prandaj them idiot i dobishëm, ti ke paguar 700 mijë thonë për të hyrë për të zënë vendin, prandaj them je idiot i dobishëm, njëherë të mori Luli dhe tani Foltorja. Ty të përdorin. Unë nuk jam si ty, po të kisha para e bëja si ti te rruga “Asim Zeneli”. Bashkë takohemi në gjykatë” tha ai.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ndërhyri në debat. “U kërkoj kolegëve të shumicës që të jenë më të vëmendshëm në Konferencë e Kryetarëve kur hapin rrugën për interpelanca të tilla, pasi është e pamoralshme të përdorësh foltoren për të goditur rivalët në biznes apo për t’u mbrojtur nga drejtësia” tha ai.