Të paktën 18 persona janë vrarë pasi policia bastisi një bandë kriminale që kontrollon një nga lagjet e varfra të dhunshme në Rio De Janeiro.
Katërqind policë ushtarakë të armatosur rëndë shkuan në Alemão në orët e para të së enjtes. 16 nga të vdekur dyshohet se janë kriminelë, ndërsa një oficer policie dhe një kalimtar janë dy viktimat e tjera.
Operacioni zgjati përgjatë gjithë ditës dhe mijëra njerëz mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Operacioni kishte për qëllim gjetjen dhe arrestimin e kriminelëve. Disa prej objektivave mbanin veshur uniforma të ngjashme me të policisë ushtarake, ndaj ishin të vështirë për tu dalluar.
400 oficerët, 10 mjete antiplumb dhe katër helikopterë morën pjesë në operacionin kundër bandës kriminale.
Banorët panë policinë ushtarake duke transportuar njerëz të plagosur me automjete ndërsa policia i vëzhgonte.
Gilberto Santiago Lopes, nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, tha se policia refuzoi të ndihmonte.
“Policia nuk synon t’i arrestojë, por t’i vrasë. Nëse ata lëndohen, efektivët mendojnë se nuk meritojnë ndihmë”, tha ai për Reuters.
Bastisjet me pasojë vdekjen nuk janë të rralla në lagjet e vrafra të Rio de Janeiro, pasi policia kërkon të godasë bandat e trafikut të drogës.
Por grupet e të drejtave të njeriut në Brazil janë shumë kritike ndaj operacioneve të policisë në komunitetet e mbipopulluara dhe me të ardhura të ulëta, duke thënë se ato vënë në rrezik jetën e banorëve pa frenuar realisht fuqinë e bandave.
Në maj, 22 njerëz u vranë, përfshirë edhe një kalimtare, në lagjen Vila Cruzeiro. Vitin e kaluar, të paktën 25 persona, duke përfshirë një oficer policie, u vranë në një shkëmbim zjarri në zonën Jacarezinho të qytetit.