-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Politika maqedonase mbetet e përçarë në procesin integrues

Kryesoret

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpreh besimin se do të arrijë t’u përgjigjet me kohë dhe në mënyrë adekuate sfidave në procesin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, tha se procesi i screening-ut do të nisë më 15 shtator, ndërsa pritet të përfundojë në nëntor të vitit 2023.

Sreening-u nënkupton analizimin e gjendjes në legjislacionin vendor dhe hapat që duhen ndërmarrë për harmonizimin e tij me atë të Bashkimit Evropian.

Mariçiq tha se edhe pa nisur bisedimet me BE-në, institucionet kanë arritur të përshtatin deri në 45 për qind të ligjeve me ato të bllokut evropian.

Maqedonia e Veriut ka hapur formalisht bisedimet me BE-në më 19 korrik.


Kësaj i ka paraprirë miratimi i të ashtuquajturit “propozim francez” për zgjidhjen e disa mospajtimeve mes Shkupit dhe Sofjes rreth gjuhës dhe historisë.

Në bazë të këtij propozimi, Maqedonia e Veriut, mes tjerash, ka rënë dakord për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare.

Mariçiq tha se bisedimet reale me BE-në nuk do të fillojnë pa u bërë ndryshimet kushtetuese.

Procedura për to, sipas tij, pritet të nisë në vjeshtë dhe të përfundojë para procesit të screening-ut.

“Para nesh është një proces i gjatë, që varet nga të gjithë ne. Dinamika, në masë të madhe, do të varet nga ne. Duhet angazhim nga të gjithë. Është një detyrë e madhe, pasi, në fund, me rëndësi do të jetë rezultati, nëse kemi arritur të bëjmë shtet të gatshëm për të qenë pjesë e BE-së. Unë besoj në kapacitetet shtetërore”, tha Mariçiq.

Opozita maqedonase, e cila ka kundërshtuar fuqishëm propozimin francez, mbetet në qëndrimin se bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së nuk kanë nisur dhe se Qeveria “vazhdon të gënjejë popullin për gjoja sukses të madh në procesin euro-integrues”.

“VMRO-DPMNE-ja nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës. Deputetët tanë nuk do të votojnë ndryshimin e Kushtetutës. Maqedonia [e Veriut) duhet të negociojë me BE-në me kushte që vlejnë për të gjithë”, tha në një reagim partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.

Duke komentuar qëndrimet e pushtetit dhe opozitës, Albert Musliu, njohës i çështjeve politike, thotë se partitë, me veprimet e tyre, dëshmojnë se më tepër janë të përkushtuara për interesat partiake, sesa për ato shtetërore.

Integrimi evropian, sipas tij, është një procesi i gjatë që kërkon angazhimin e gjithë spektrit politik.

“Unë e kuptoj se ky nuk është hapi përfundimtar, por edhe kur të fillojnë realisht negociatat, ato kërkojnë punë, kërkojnë sakrificë, përkushtim në këtë proces”, thotë Musliu.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e shtetit kandidat për BE qysh në vitin 2005, por nisjen e bisedimeve të anëtarësimit e ka penguar fillimisht një kontest i saj për emrin me Greqinë, e më pas mospajtimet me Bullgarinë.

  • Opozita maqedonase synon kthimin e emrit “Maqedoni”
  • VMRO-ja dëshiron ta “ndryshojë” Marrëveshjen e Prespës

Negociatat me BE-në, në të njëjtën ditë, i ka nisur edhe Shqipëria, e cila ka qenë në një paketë me Maqedoninë e Veriut.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka përshëndetur nisjen e këtyre bisedimeve, duke thënë se Uashingtoni “do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm dhe i besueshëm”, derisa këto dy vende “punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit”.

“Në kohën kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë që të mbështetet aspirata për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion”, ka thënë Biden.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë ende jashtë BE-së, negociatat e anëtarësimit i kanë nisur më herët edhe Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit