-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kongresi amerikan shton presionin ndaj Biden: Rusia të përcaktohet si një shtet sponsorizues i terrorizmit

Kryesoret

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të muajit të saj të pestë dhe sulmet ruse ndaj objekteve civile raportohen pothuajse çdo ditë, po rritet trysnia mbi administratën Biden për të përcaktuar zyrtarisht Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmin.

Këtë javë, sipas një artikulli nga Politico, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi i tha Sekretarit të Shtetit Antony Blinken se nëse ai nuk ushtron fuqinë e deleguar nga Kongresi për të bërë përcaktimin, vetë ligjvënësit do ta bëjnë një gjë të tillë.

Rusia është tashmë nën sanksione të rrepta, të vendosura nga SHBA-ja dhe një mori vendesh të tjera, por përcaktimi zyrtar si një shtet sponsorizues i terrorizmit do të rriste trysninë në disa mënyra të rëndësishme. Elementët ndërkombëtarë të sanksioneve aktuale janë koordinuar me kujdes, por përcaktimi si sponsorizues i terrorizmit mund të shkaktojë një regjim më të rreptë ndëshkimesh që mund të zbatohen për palët e vendeve të treta që bëjnë biznes me individë dhe kompani ruse.

Përveç kësaj, përcaktimi do të heqë imunitetin e një vendi sovran të Rusisë në SHBA, duke hapur dyert për amerikanët e dëmtuar nga lufta në Ukrainë të ngrenë padi civile kundër qeverisë ruse në gjykatat amerikane.

Administrata heziton
Kryetarja Pelosi është ligjvënësja më e lartë që ka mbrojtur idenë që administrata të marrë masa, por ajo nuk është e para. Në fillim të këtij muaji, senatorët Lindsey Graham, një republikan, dhe Richard Blumenthal, një demokrat, udhëtuan në Kiev për ti dhënë shtytje legjislacionit që ata prezantuan në maj e që kërkonte përcaktimin zyrtar të Rusisë si shtet që sponsorizon terrorizmin.

Një projekt-ligj me të njëjtin synim u prezantua në Dhomën e Përfaqësuesve nga Joe Wilson, një republikan, dhe Ted Lieu, një demokrat.

Megjithatë, administrata Biden është shfaqur ngurruese për ta ndërmarrë këtë hap. Në të kaluarën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se regjimi ekzistues i sanksioneve është i mjaftueshëm për të arritur qëllimet e administratës.

Gjithashtu, përcaktimi i Rusisë si një shtet sponsorizues i terrorizmit do të shkaktonte sanksione “dytësore” që SHBA-të do të duhej t’i zbatonin ndaj individëve dhe vendeve jashtë SHBA-së që bëjnë biznes me Rusinë. Një përcaktim i tillë mund të komplikojë përpjekjet për të mbajtur të bashkuar një koalicion të gjerë vendesh që po i bëjnë trysni Rusisë për të ndalur agresionin e saj në Ukrainë.

Një precedent i ri i mundshëm
John Herbst, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Ukrainë nga vitet 2003-06, i tha Zërit të Amerikës se, ka pak dyshime se Rusia i ka përmbushur kërkesat për t’u përcaktuar si sponsor i terrorizmit.

“Unë besoj se dhuna e drejtuar ndaj civilëve për qëllime politike është një nga përkufizimet e terrorizmit,” tha zoti Herbst, tani drejtor i lartë i Qendrës Eurasia në Këshillin Atlantik. “Nëse ky është përkufizimi, atëherë është e qartë se qeveria ruse po ndjek një politikë terrorizmi”.

Megjithatë, ai vuri në dukje se në të kaluarën, vendet që i janë nënshtruar këtij përcaktimi nuk kanë qenë më shumë se fuqi rajonale.

Shtetet e Bashkuara aktualisht konsiderojnë katër vende si sponsorizues shtetërorë të terrorizmit: Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë. Në të kaluarën, lista përfshinte Irakun, Libinë, Jemenin e Jugut dhe Sudanin, por këto vende qysh atëherë janë hequr nga lista.

Shtimi i Rusisë në listë do të ishte një largim domethënës nga praktikat e kaluara dhe do të krijonte një precedent të ri.

Një “instrument i hapur”
Zoti Herbst, i cili ka qenë një kritik i zëshëm i asaj që ai e quan “politikë e ngadaltë dhe e ndrojtur e administratës Biden për furnizimin e Ukrainës”, tha se ai do të mbështeste përcaktimit e shtetit sponsorizues të terrorizmit për Rusinë, por me disa rezerva.

“Unë e mbështes atë, por nuk është përparësia ime kryesore,” tha ai. “Nëse administrata do të ishte plotësisht strikte për armët dhe sanksionet, nuk do të na duhej fare ky përcaktim. Për shkak se ata nuk janë, mund ta shoh dobinë e këtij përcaktimi. Por në përgjithësi, unë vetë nuk i dua instrumentat e hapura. Më mirë do të ishte të kishim fleksibilitetin”.

Ingrid Brunk Wuerth, në Shkollën Juridike të Universitetit Vanderbilt, bie dakord se sanksionet që vijnë me përcaktimin si një shtet sponsorizues i terrorizmit mund të jenë më të gjera se sa është e nevojshme për të ndëshkuar më tej Kremlinin, duke pasur parasysh se “Rusia është nën një trysni të madhe tashmë nga sanksionet e SHBA-së”.

Megjithatë, zonja Wuerth tha se është veçanërisht e shqetësuar për efektet e vendosjes së Rusisë përballë mundësisë së padive civile të ngritura nga amerikanët.

Humbja e “avantazhit”
Në teori, amerikanët e prekur do të kishin të drejtë të padisnin Rusinë për të rikuperuar dëmet– dëme që mund të paguhen nga pasuritë ruse të ngrira aktualisht në institucionet financiare amerikane.

Në të kaluarën, tha ajo, pasuritë e ngrira janë përdorur si mjet avantazhi në negociatat me qeveritë e huaja armiqësore. Për shembull, ajo vuri në dukje lirimin e pasurive të ngrira iraniane si një element i Marrëveshjes së Algjerit të vitit 1981, e cila i dha fund një krize të gjatë pengjesh amerikane në Iran.

“Nëse ua japim paratë që kemi për pretenduesit amerikanë, ato nuk janë më të disponueshme si mjet negociatash me Rusinë,” tha zonja Wuerth. Për më tepër, tha ajo, për shkak se ligji kufizon ata që kanë të drejtë të paraqesin padi ndaj qytetarëve amerikanë dhe punonjësve të qeverisë së SHBA-së, kjo do të thotë se dëmet e rikuperuara nga amerikanët do të zvogëlojnë grupin e fondeve në dispozicion për të kompensuar qeverinë ukrainase dhe qytetarët e saj.

Zonja Wuerth vuri në dukje se SHBA nuk është i vetmi vend që mban pasuritë e ngrira ruse dhe se nëse të tjerët do të ndiqnin shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe do t’i lejonin qytetarët e tyre të padisin për dëmshpërblim Rusinë, kjo do të gërryente më tej grupin e fondeve që mund të përdoren për të ndihmuar drejtpërdrejt Ukrainën./VOA/

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit