Përmbytjet masive në Pakistan kanë marrë jetën e më se 300 njerëzve dhe janë plagosur qindra të tjerë.
Qeveria ka dhënë paralajmërime për rrebeshe të tjera ekstreme të musonit në 14 qytete.
Qyteti jugor i Karachi-t, shtëpia e 16 milionë banorëve, ka parë lagje dhe automjete të zhytura në ujërat me baltë deri në gjunjë; rrugët janë të pakalueshme. Të paktën 15 persona kanë vdekur që nga e shtuna.
Shërbimet publike në qytet janë pezulluar dhe bizneset janë mbyllur. Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA) tha se infrastruktura, rrjetet rrugore dhe 5 mijë e 600 shtëpi ishin dëmtuar.
Pakistani, i cili pësoi një valë ekstreme të të nxehtit në fillim të këtij viti, renditet ndër vendet më të cenueshme në Indeksin Global të Rrezikut të Klimës, i cili regjistron humbjet ekonomike dhe njerëzore të motit ekstrem. Pakistani vlerësohet të ketë humbur 10 mijë jetë për shkak të fatkeqësive mjedisore, me humbje financiare prej 4 miliardë dollarësh në dekadën deri në vitin 2018.
“Klima po luan rolin e saj”, tha Afia Salam, një aktiviste për çështjet e klimës.