Këngëtari i mirënjohur me origjinë shqiptare Ermal Meta duket se nuk po kalon ditë të lehta dhe e gjitha kjo lidhet me shëndetin e tij. Fituesi i Sanremos ka publikuar në llogarinë e tij në “Instagram” disa foto, në të cilat pjesë të fytyrës dhe kokës së tij duken të enjtura.
Në një shkrim që publikoi në Instastory, ai shprehet se në fillim mendoi se kjo gjendje ishte për shkak të një alergjie, por që nuk rezultoi kështu.
Sipas artistit gjendja e tij është përkeqësuar nga dita në ditë dhe për këtë arsye ai ka vendosur të anulojë turin e koncerteve të tij në të gjithë Italinë.
Në shkrimin e tij Ermal Meta iu kërkon falje organizatorëve dhe fansave të tij për këtë vendim teksa thotë se i duhet të zgjidhë çështjet me shëndetin e tij.
Ende nuk është e qartë diagnoza e artistit, teksa të shumtë kanë qënë fansat e tij që janë shqetësuar.