Një 32-vjeçar shqiptar rrezikon 6 vite burg pasi akuzohet për tentativë për vrasje. Shqiptari ka goditur 3 herë me thikë bashkatdhetarin e tij para një kafeneje në qendër të Brukselit.
Ngjarja ndodhi më 21 shkurt, kur 32-vjeçari u përfshi në një debat të fortë në kafene në Auguste Ortsstraat.
Autori kishte refuzuar të pinte birra me dy bashkatdhetarët dhe kjo kishte krijuar përplasje mes tyre.
Shqiptari u largua nga kafeneja për gjysmë ore dhe u kthye të ulej pranë dy bashkëkombësve të tij. Por mes tyre sherri nisi sërish, shkruajnë mediat belge.
Në atë moment, autori ka kapur një thikë dhe ka goditur tre herë njërin prej tyre. I godituri ka pësuar një dëmtim në mushkëri.
“Ai më ka kërcënuar fillimisht me thikë” është mbrojtur para policisë, autori i ngjarjes.
Sipas prokurorisë, pas debatit të parë, autori është rikthyer me paramendim në kafene për të zgjidhur debatin. Por sipas mbrojtjes, bëhej fjalë për një sherr në gjaknxhetësi e sipër. Ndërkaq vendimi pritet të jepet më datë 29 korrik.