Përmbytjet nga shirat e rrëmbyeshëm, kanë marrë jetën e 8 personave dhe kanë zhdukur qindra të tjerë në Kentakit.
Guvernatori i shtetit amerikan, ka shprehur shqetësimin se numri përfundimtar i të vdekurve do të ishte shumë më i lartë.
Është “përmbytja më e keqe në historinë e fundit, shkatërruese dhe vdekjeprurëse”, tha Andy Beshear, pasi numri i të zhdukurve mbetet i panjohur dhe shirat e dendur pritet të vazhdojnë edhe sot.
“Deri më tani, besoj se mund të konfirmoj të paktën tetë të vdekur, por ky numër duket se po rritet çdo orë”, tha ai.
Guvernatori shtoi se ai priste që numri i viktimave të ishte “në shifra dyshifrore”.
Në zonën e Xheksonit, disa rrugë u kthyen në lumenj, me automjete të lëna në dorë të fatit. Në luginat e vogla të veshura me pyje, uji ka përmbytur gjithçka dhe mund të shiheshin vetëm disa çati ndërtesash dhe majat e pemëve.
Në këto kushte, disa banorë u detyruan të strehoheshin në çatitë e shtëpive të tyre, në pritje të shpëtimit. “Nga 20 deri në 30” u shpëtuan nga ajri, i tha zoti Beshear një stacioni televiziv lokal mbrëmë.
Në disa zona të Kentakit, reshjet e shiut arritën 8 inç në 24 orë dhe më shumë shira të dendur priten deri në mbrëmjen e sotme.