Mediat dhe një pjesë zyrtarëve në Poloni kanë ngritur dyshime mbi vdekjen e biznesmenit 71-vjeçar Andrej Izdebski në 18 qershor në Tiranë dhe që trupi iu dogj në 4 korrik në Łódź. Për këtë çështje sot reagoi edhe kryeministri polak Mateusz Moraëiecki, i cili u shpreh se ka pasur kontakte me palën shqiptare për ngjarjen.
Por deputetët e Dariusz Joński dhe Michał Szczerba denoncuan duke ngritur dyshimet se “Më 4 korrik, ditën kur u dogj trupi, në Lodz nuk kishte polici, prokurori, shërbime speciale dhe të afërm (të të ndjerit)” duke ngritur hije të forta dyshimi se vdekja e tij dhe i gjithë procesi më pas deri në marrjen e certifikatës është i falsifikuar për të shpëtuar nga drejtësia polake që e kërkonte për mashtrim 50 mln euro për respiratorët që firmosi në kohën e pandemisë, por nuk i siguroi.
“5pyetjet.al” kontaktoi me administratorin e pallatit, që u fut brenda bashkë me zjarrfikësen dhe policinë dhe e gjetën të shtrirë në tokë biznesmenin polak dhe që sipas policisë së Tiranës kishte vdekur nga arresti kardiak.
Tomor Baruti u shpreh se dyshimet që ngrihen nuk janë të vërteta, pasi sipas tij Andrej Izdebskin e pa me sytë e tij që kishte vdekur dhe ishte mbuluar në gjak.
“Kjo nuk është e vërtetë, aty erdhi gjithë policia. U futëm brenda të gjithë. Unë e pashë viktimën. Ishin 18 policë aty dhe zjarrfikës, tufa-tufa. U futëm me maska pasi vinte shumë erë e keqe. Unë e pashë me sytë e mi.
Më pas erdhi dhe e mori makina që bëri ekspertizën. Kjo që flitet është budallallëk dhe injorancë. Atij të shkretit i kishte plasur gjaku nga ataku kardiak. Këto i ka të fotografuara mjekësia ligjore. Ai nuk ishte mi, apo zog, u bënë kontrollet dhe autopsia.
Në shtëpi nuk futeshe dot brenda, pagova dy persona 20 mijë lekë për të hedhur dyshekun se nuk futeshe dot brenda nga era e keqe” tha ai për “5pyetjet.al”.
Megjithatë debati në mediat pokale vazhdon, pasi sipas tyre, skena që lidhet me vdekjen, kufomën dhe djegien ka ndodhur pa dijeninë e autoriteteve polake.