Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun është frenuar në fundin e kësaj jave.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të premten Euro u këmbye me 116.78 Lekë, duke fituar 0.16 pikë krahasuar me ditën e enjte.
Sipas agjentëve të tregut valutor, rritja e lehtë e Euros mund të lidhet me faktorë të përkohshëm dhe më i mundshmi është ndikimi i kërkesës për blerje valute nga kompanitë e sektorit energjetik. Burime bëjnë të ditur se në këtë periudhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të kryejë pagesat për energjinë e importuar gjatë muajve të verës, me mbështetjen financiare të buxhetit të shtetit. Për këtë qëllim, KESH besohet se po kryen blerje të valutës në tregun financiar vendas.
Hipoteza më e mundshme është që pikërisht blerjet e KESH e kanë frenuar disi zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Megjithatë, impakti i këtyre blerjeve në tregun valutor besohet se do të jetë i përkohshëm. Tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, e lidhur me sezonin turistik. Deri në fund të 6-mujorit, hyrjet e turistëve të huaj në Shqipëri ishin në nivelet më të larta historike.
Vetëm për muajin Qershor, depozitat bankare në monedhën europiane u shtuan me 101 milionë Euro, niveli më i lartë që prej verës së vitit të kaluar. Rritja e lartë e depozitave në Euro sugjeron prurje të mëdha të Euros dhe ofertë në rritje të monedhës europiane në tregun valutor.
Po t’iu referohemi të dhënave historike, pjesa e parë e muajit gusht shënon edhe pikun e prurjeve të Euros nga sezoni turistik. Kjo reflektohet edhe në kursin e këmbimit valutor, kur Euro zakonisht shënon vlerën më të ulët në raport me lekun, të paktën për periudhën e lidhur me sezonin veror dhe turizmin. Në rast se blerjet e KESH nuk do të shkaktojnë disbalanca të mëdha në treg, ka të ngjarë që Euro të pësojë një tjetër rënie të lehtë gjatë javës në vazhdim.
Leku pësoi një zhvlerësim të lehtë të premten edhe me shumicën e valutave të tjera të rëndësishme. Dollari Amerikan u këmbye me 114.46 Lekë, me një rritje të lehtë krahasuar me ditën e premte, por gjithsesi në nivele më të ulëta krahasuar me fundin e javës së kaluar. Dollari arriti më datë 12 korrik nivelin më të lartë kundrejt Lekut që prej vitit 2017, ndërsa në vijim kursi ka shënuar një korrektim në rënie.
Megjithatë, kursi USD-LEK reflekton thjesht prirjet e kursit EUR-USD në tregjet ndërkombëtare dhe nuk ndikohet shumë nga faktorë të brendshëm të kërkesës dhe të ofertës./ Monitor