Tre persona janë arrestuar nga policia në Pukë për kultivim kanabisi. Lavdi Salaj 45-vjeç së bashku me djalin e tij dhe nipin u arrestuan në flagrancë duke ujitur parcelat me kanabis nga operacioni “Laku”. Me origjinë nga Nikla 45-vjeçari me djalin 16 dhe nipin 17 vjeç shkonin në Qafën e Malit, Pukë, për të kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar.
Sekuestrohen dhe asgjësohen më anë të djegies 527 bimë narkotike kanabis. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.









