-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

I nxehti “përvëlues” në Europë dhe SHBA! Zjarret po rrezikojnë jetë njerëzish

Kryesoret

Një valë e gjatë nxehtësie që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar zjarre në disa rajone të Kalifornisë. Pavarësisht se disa rajone të këtij shteti janë përfshirë nga zjarret, kulmi i sezonit të zjarreve në Kaliforni nuk ka arritur ende dhe kjo ka bërë që banorët e saj të përgatiten më mirë këtë vit. Edhe Evropa është përfshirë nga një valë e të nxehtit që ka shkaktuar një numër zjarresh në Itali dhe vende të tjera.

Banorët në Kaliforni po përgatiten këto ditë për zjarrin më të madh të shtetit, edhe pse ky rajon perëndimor i Shteteve të Bashkuara ende nuk ndodhet në kulmin e sezonit të zjarreve.

Jerry Caputo, një banor i Mariposës, ka vëzhguar me ankth shtëpinë e tij, që kur u afrua zjarri që ka përfshirë pyjet përreth. Ai dalloi copa druri të djegura në oborrin e tij, të cilat u bartën nga erërat që shkaktuan përhapjen e zjarrit.

“Jemi në gjendje gatishmërie, duke pritur zjarrin për të parë se në cilin drejtim do të fryjë era. Por, jemi të përgatitur”, thotë ai.

Zoti Caputo ka jetuar në këtë rajon për më shumë se tre dekada dhe thotë se ai ka vënë re ndryshimin e klimës. Valët e të nxehtit dhe thatësirës janë zgjatur, dhe një pellg natyror aty pranë pothuajse është zhdukur. Peizazhi i kësaj zone, dikur plot gjelbërim, tani është tharë. Ai thotë se një shkëndijë e vetme mund ta djegë gjithë shtëpinë e tij prej druri, të ndërtuar në vitet 1800.

“Duhet të kemi rezervuare me ujë, një gyp uji për të mundësuar lidhjen me zorrët e makinave të zjarrfikësve, spërkatës kundër zjarrit në shtëpi dhe vetëm bimë të këtij rajoni, të cilat duhet të mbillen rreth 8 metra larg shtëpisë”, thotë zoti Caputo.

Rreziqet nga zjarri janë bërë një realitet i rëndë në këtë rajon. Dhe për banorët si zoti Caputo, përgatitja, investimi dhe trajnimi janë mënyrat më të mira për përballimin e kërcënimit nga zjarret. Qindra shtëpi tashmë janë djegur dhe më shumë se dy mijë njerëz janë evakuuar për shkak të përhapjes së zjarreve në këtë rajon.

Ndërkohë, edhe Evropa është përfshirë nga një valë e të nxehtit dhe thatësirës që po shkakton zjarre në shumë rajone të saj. Zjarrfikësit italianë sot vazhduan të luftonin zjarret që kanë shpërthyer nëpër rajone të ndryshme të gadishullit, ndërsa vendi pret fundin e thatësirës më të madhe në 70 vjet.

Në Friuli Venezia Giulia, pamjet e filmuara me dron tregojnë dëmet e shkaktuara nga zjarret që kanë përfshirë një zonë pyjore pranë Gorizias, ku ekipe zjarrfikësish nga i gjithë rajoni po punojnë për t’i shuar ato.

Disa zjarre shpërthyen edhe në Giuliano di Roma, pranë Frosinones, dhe në Roccella Ionica, në Kalabri, ku puna e zjarrfikësve u vështirësua nga erërat e nxehta që përhapnin flakët.

Brigada e zjarrfikësve e Oristanos, në Sardenjë, sot arriti të shuante një zjarr që shpërtheu në qytetin e vogël të Palmas Arborea-s, ku flakët shkatërruan një zonë të gjerë shkurresh mesdhetare./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit