Kina thotë se ushtria e saj kurrë nuk do të “qëndrojë duarkryq” nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi do të vizitonte Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur të pretenduar nga Pekini.
Në Pekin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian përsëriti paralajmërimet e mëparshme të hënën, duke thënë se “do të ketë pasoja serioze nëse ajo insiston të bëjë vizitën”, por duke mos shpjeguar ndonjë pasojë specifike.
“Ne jemi plotësisht të përgatitur për çdo rast”, tha ai. “Ushtria Çlirimtare Popullore nuk do të rrijë kurrë duarkryq. Kina do të marrë masa të forta dhe të vendosura për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.
Anijet janë vendosur afër vijës mesatare në ngushticën e Tajvanit, që ndan Kinën dhe Tajvanin, që nga e hëna, dhe disa avionë ushtarakë fluturuan afër linjës të martën në mëngjes, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters duke cituar burime të paidentifikuara./VOA