Dhjetëra mijëra trupa ruse po përgatiten për të përparuar në qytetet Krivij Rih dhe Mykolaiv në Ukrainën jugore, tha këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych, derisa Moska goditi rajonin e Dnipropetrovskit me raketa dhe SHBA-të njoftuan për ndihmë të re ushtarake për Kievin.
Arestovych tha se forcat sulmuese ruse numëronin rreth 22.000 ushtarë dhe se një kontigjent “mjaft i madh” ukrainas po qëndronte në pritë.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit Dnipropetrovsk, Valentyn Reznichenko, raportoi se trupat ruse qëlluan me raketahedhës dhe artileri në rrethet e qyteteve Sinelnykivski dhe Krivoriki të këtij rajoni.
“Armiku goditi Sinelnykivski me një raketë kundërajrore. Në Pokrovska sulmi shkatërroi banesa dhe dëmtoi makina”, shkroi ai në Telegram.
Mëngjesin e 2 gushtit shpërthime të fuqishme sërish synuan qytetin-port pranë Detit të Zi, Mikolajivin, dhe një person u plagos, tha kryebashkiaku i qytetit Oleksandr Sienkovych.
Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha se 5.327 civilë janë vrarë dhe 7.257 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan më 1 gusht se do të ofrojnë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë sisteme raketash artilerie me lëvizshmëri të lartë, HIMARS.
Zyrtarët ukrainas thanë se përdorimi i këtyre sistemeve të prodhimit amerikan ka qenë thelbësor për t’i zmbrapsur forcat ruse dhe për t’i sulmuar linjat e tyre të furnizimit.
“Paketa e re prej 550 milionë dollarësh do të përfshijë më shumë HIMARS”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Që kur presidenti Joe Biden mori detyrën, kjo e çon vlerën e përgjithshme të ndihmës ushtarake të dhënë për Ukrainën në më shumë se 8 miliardë dollarë.
HIMARS janë sisteme me rreze të gjatë veprimi dhe janë më precize sesa artileria e kohës sovjetike që Ukraina ka në arsenalin e saj.
Kjo ndihmë u bë e ditur pas telefonatës së Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, më 29 korrik, në të cilën ai parashikoi planet për ndihmë për sigurinë.
Serkretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Rusia po përdorte termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja si një “mburojë bërthamore”. Blinken tha se Rusia ka vendosur trupa atje, duke parandaluar forcat ukrainase t’i kundërpërgjigjen zjarrit me zjarr nga rreziku i ndonjë aksidenti të tmerrshëm bërthamor.
Blinken tha se Uashingtoni ishte “thellësisht i shqetësuar” që uzina e Zaporizhjas – drejt së cilës Rusia goditi me predha në mars në mënyrë të rrezikshme – tani është një bazë ushtarake ruse që po përdoret për të qëlluar mbi forcat ukrainase aty pranë./REL