Kryeministri britanik Keir Starmer ka cilësuar sulmet e Rusisë ndaj sektorit energjetik të Ukrainës si “barbare” dhe “të pashpirt”, pas bombardimeve që goditën termocentralet në Kiev dhe qytete të tjera, kur temperaturat ranë deri në -20°C. Këto sulme u kryen pas një pauze njëjavore që presidenti Trump i kishte kërkuar Putinit.
Autoritetet ukrainase raportuan se më shumë se 1 mijë pallate në Kiev mbetën pa ngrohje, dhe një central në Harkiv u dëmtua rëndë. Banorët janë detyruar të kalojnë natën në stacione metrosh, dhe autoritetet po përdorin gjeneratorë për të përballuar ndërprerjet e energjisë.
Ndërkohë, Ukraina ka kërkuar më shumë mbështetje për mbrojtjen ajrore nga aleatët e saj, ndërsa diplomacia vazhdon me takime në Abu Dhabi për të gjetur një marrëveshje paqeje, me kërkesa të Rusisë për dorëzimin e pjesës së mbetur të Donbasit.









