Një delegacion iranian do të jetë i pranishëm në Vjenë për të rinisur bisedimet mbi rikthimin e marrëveshjes bërthamore me SHBA-të të vitit 2015, pas zhbërjes së saj prej ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Nga vetë Teherani është konfirmuar pjesëmarrja në takime.
Ishte zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nassen Kanani, ai i cili e dha lajmin nëpërmjet një komunikate për shtyp.
“Si pjesë e politikave tona për të lehtësuar sanksionet e tmerrshme mbi shtetin tonë, ekipi negociator, i kryesuar nga Ali Bagheri, do të jetë në Vjenë”, tha Kanani.
Ky proces bisedimesh ka nisur që prej prillit 2021, po asnjë rezultat apo angazhim konkret nuk është mbajtur mes SHBA-ve dhe Iranit sa i përket rikthimit të marrëveshjes bërthamore.
Përpjekje ka pasur edhe nga Katari për të ndërmjetësuar tryeza mes dy vendeve, por sërish pa sukses.
Me rikthimin në pushtet të demokratëve në SHBA dhe ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të Joe Biden, Departamenti i Shtetit u zotua se do të punojë më së shumti për paqen, duke përmendur edhe angazhimin për bisedime me Iranin.
Gjithsesi, kryediplomati amerikan, Antony Blinken, e ka bërë të qartë edhe më parë se nënshtrim për kushtet që Teherani mund të ketë, nuk do të shihet nga Washingtoni.
Pala iraniane po ashtu është treguar dorështrënguar në këtë çështje.
Sipas diplomacisë iraniane, procesi duhet të jetë në hapat e duhur me shpejtësinë e duhur dhe nuk ka për qëllim të shohë vendime të nxituara, që nuk krijojnë baraspeshë mes dy vendeve.
Evropa është gjithashtu shumë e interesuar që një akord i tillë të rikthehet, si garantues i paqes dhe sigurisë globale.
Mirëpo, me shpërthimin e luftës në Ukrainë përmes agresionit rus, rrethanat kanë ndryshuar radikalisht.
E sigurt në këtë çast është se Irani në Vjenë do të jetë. Për marrëveshje ose jo, mbetet për t’u parë.