Gjatë së enjtes, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mbajtur një konferencë për shtyp në Prishtinë, në prag të ceremonisë hapëse të festivalit “Sunny Hill”.
Ajo i ka falënderuar përkrahësit e saj duke thënë se mbështetjen e tyre e ndjen “nga do që shkon”.
Ndër të tjera ajo tha se përmes këtij festivali, po mundohet t’i tregoj botës për historinë e vendlindjes së saj.
“S’ka rëndësi se sa ëndrrën e madhe keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni sepse çdo gjë është e mundur”.
“Sunny Hill”, të enjten nis me koncertet nga artistë të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtarë, e kësaj radhe hapjen do ta bëj vetë Dua Lipa, për t’ua lënë radhën yjeve të tjerë në tri netët e ardhshme.
Krijuesja e hitit “Levitating” bëri të ditur, se për rikthimin e saj ka përgatitur një performancë mjaft të veçantë.
“Do të jetë befasi, është diçka shumë special që është krijuar vetëm për këtë performancë, është një ndjesi shumë e mirë që të performoj në Prishtinë, nuk ka ndjenjë më të mirë, energjinë që ma jep, mezi pres me i ndje ato emocione para se të dalë në skenë”, është shprehur ajo.
Mes tjerash, 26 vjeçarja, përmendi edhe liberalizimin e vizave, për të cilin tha se të rinjtë duhet të kenë sa më shumë mundësi të vizitojnë Evropën.