Instituti “GAP” përmes një grafiku ka publikuar të dhënat zyrtare për investimet kapitale të realizuara për periudhën janar-qershor që nga viti 2012 në nivel qendror dhe lokal. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, Kosova ka përqindjen më të ulët të investimeve kapitale në dekadën e fundit.
Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm, madje shkallë kaq e ulet e investimeve nuk është shënuar as në vitin 2020 kur për shumë ditë kemi qenë të mbyllur.
Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, është më i ulëti në dekadën e fundit, thuhet në një raport të publikuar nga Instituti GAP.
Sipas GAP-it, realizimi i investimeve kapitale si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare.
Investimet kapitale në nivelin qendror në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë 9 për qind, ndërsa në nivelin lokal janë 19 për qind.
Shpenzimi i buxhetit për investime kapitale gjatë vitit 2021 kanë qenë 19 për qind në nivel qendror dhe 26 për qind në nivel lokal.
Investimet kapitale kanë qenë solide edhe gjatë vitit 2020 kur pandemia COVID-19 kishte shpërthyer dhe rrjedhimisht vendi ishte në izolim total. Gjatë këtij viti shpenzimi i buxhetit për investimet kapitale kanë qenë 11 për qind për nivel qendror dhe 21 për qind për nivel lokal.
Agron Demi, analist i politikave në Institutin GAP, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk e ka trajtuar fare sfidën e rritjes së çmimeve në materialet ndërtimore.
“Realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm, madje shkallë kaq e ulet e investimeve nuk është shënu as në vitin 2020 kur për shumë ditë kemi qenë të mbyllur”.
“Fajtor kryesor për këtë është rritja e çmimeve në materialet ndërtimore, por për këtë faj të madh ka edhe qeveria, e cila nuk e ka trajtua këtë sfidë fare”, ka shkruar Demi në Facebook.
Ai ka thënë se përveç se të fokusohet në skema sociale, është mirë që Qeveria t’i kushtojë rëndësi edhe projekteve kapitale, “pasi pa projekte kapitale nuk do ketë pastaj as çka të shpërndahet në skema sociale”
Lidhur me këtë trend negativ të investimeve kapitale analisti Astrit Gashi, ka cilësuar si shumë të dobët këtë trend duke shtuar se kjo tregon se pse ka rënë fuqia blerëse në vend.
“Dobët, shume dobët! Prandaj ka rene fuqia blerëse, prandaj ka më pak para ne treg e me pak mirëqenie, ndërkohë qe ka rritje të fortë të çmimeve. Kjo statistikë, fatkeqësisht shkarkon te gjithë ministrat, ndërsa është një paralajmërim i keq për efikasitetin e Kryetareve te rijnë te Komunave qe kane marre mandatin ne fundvit!”, ka shkruar Gashi.
Reagim për këtë trend në rënie të investimeve kapitale ka pasur edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri ka thënë se ky trend negativ i investimeve shpërfaq paaftësinë kronike të qeverisë, e cila sipas tij po e thellon çdo ditë krizën e madhe ekonomike në vend.
“Kjo tabelë e Institutit GAP, shpërfaq paaftësinë kronike të qeverisë që po e thellon për çdo ditë e më shumë krizën e madhe ekonomike në Kosovë. Qeveria Kurti ka shënuar rekord regresiv duke dështuar të realizojë 91 % të investimeve të planifikuara kapitale në shkolla, çerdhe, rrugë dhe infrastrukturë publike, me realizimin e vetëm 9% të tyre në gjashtë mujorin e parë.
Grupi Parlamentar i PDK-së, do të kërkojë përgjegjësi për këtë dështim masiv në investime kapitale dhe ne do t’i kundërvihemi logjikës së Albin Kurtit, ku “lëmosha” zëvendëson investimet dhe themelimin e vendeve të punës”, shkruan Abelard Tahiri në reagimin e tij në Facebook.
Viti 2012, sipas të dhënave të “GAP” ka shënuar shpenzimin më të madh të investimeve kapitale, kështu investimet kapitale për nivelin qendror kanë kapur shifrat e 40 për qindëshit ndërsa ato lokal 25 për qindëshit. /Marrë nga MONITOR